Protesta e 6 e opozitës, nga çelja e iftarit te mesazhi i Bashës

Në protestën e saj të gjashtë kombëtare, opozita i la bombat molotov dhe solli në bulevard lutjet. Jo për Edi Ramën, por për Perëndinë, përballë të cilit Lulzim Basha ndërpreu mesazhin e tij, në respekt të besimtarëve myslimanë duke çelur me ta iftarin.

Pavarësisht toneve më të qeta, kryedemokrati theksoi se nuk tërhiqet nga kërkesat e tij. “Nuk ka fund tjetër veç largimit të qeverisë së krimit. Zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë”, tha Basha.

Basha u rikujtoi demokratëve cila është, sipas tij, alternativa e Kryeministrit Rama, duke përmendur me emra disa prej kandidatëve socialistë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Pjerin Ndreu, Dionis Imeraj, Valbona Sako, janë të përfshirë, pjesëmarrës në skemën e shitblerjes së votave. Siç është Agron Malaj në Burrel, siç është Arbana në Shijak, pjesëtarë i bandës së Avdylajve. Për pushtetin e tij, pasurinë e tij, do që më 30 qershor t’i gradojë bashkë me bashkëpunëtorët e tyre dhe përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipëri”, tha Basha.

Opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë dhe as Pazar, theksoi Basha, por një zgjidhje politike për të cilën ka disa propozime. 

Me urimin që kjo mbrëmje të ishte preludi i zgjidhjes së krizës, Lulzim Basha paralajmëroi që mesazhi i tij të lexohej drejtë.

“Ju kërkoj të vazhdojmë të jemi të gatshëm për të qëndruar kështu në çdo ditë në javët e ardhshme për të qëndruar kështu, të vetëdijshëm dhe shpresëplotë se zëri juaj është dëgjuar. Mirënjohës për partnerët tanë që e dinë se rruga e Shqipërisë kalon vetëm përmes normave, parimeve, standardeve dhe zgjidhjeve europiane. Zgjidhjet europiane diktojnë largimin e shkaktarit të kësaj krize si hapi që hap dialogun dhe i mundëson këtij vendi të përqafojë ëndrrën e tij shekullore për Shqipërinë si gjithë Europa. Ky mesazh është mesazhi i popullit të Shqipërisë. Ky mesazh është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie. Kurrë nuk kemi qenë më të fortë!”, tha Basha.

Të thirrur nga kryedemokrati, protestuesit marshuan drejt Parlamentit, ku edhe Sali Berisha përcolli një mesazh. Një grup protestuesish nisën të hidhnin gurë në drejtim të forcave të rendit. Kur disa prej tyre u futën në oborrin e institucionit, erdhi edhe përgjigja e forcave të rendit. Për të ndërprerë këto skena, Basha tërhoqi protestuesit në selinë blu, duke mbyllur protestën. Opozita vendosi të thërrasë një tjetër protestë kombëtare më 31 maje, ditë kur socialistët do të çelin fushatën zgjedhore.

Shkarkoni aplikacionin e A2