Atentati në Vlorë, detaje mbi të shkuarën e Matajt dhe pistat e hetimit

Në të majtë viktima Sotiraq Mëhilli, djathtas i plagosuri Eno Mataj

Përfshirja në Greqi në vrasjen e avokatit Mihalesi Zafeiropoulos për llogari të të ashtuquajturës “Mafia Shqiptare e Burgjeve”, është pista kryesore e atentatit ndaj Eno Matajt në Vlorë, ku për pasojë mbeti i vdekur shoku i tij Sotiraq Mëhilli, 22 vjeç.

32-vje֛çari i njohur edhe si Aleksandër Mata është akuzuar si bashkëpunëtori i Mikel Brahimajt në vrasjen e avokatit grek në vitin 2017 me porosi të Arbër Bako, Olti Duçe dhe Klodian Lekoçaj.

Këta të fundit, bashkë me dy shtetas grekë, akuzohen se kishin ngritur një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë që vetëm pak kohë më parë çoi në pranga një avokat tjetër të njohur grek, ndërsa zbuloi përmasat e kësaj veprimtarie.

Dyshimin se porosia për ta vrarë erdhi nga Greqia e ka konfirmuar për policinë vetë Mata, por që në dëshminë e parë ai ka pretenduar se e kanë ngatërruar me anëtarët e një grupi kriminal. “Në Greqi vetëm kam grabitur ka thënë ai”.

Por në qershor të vitit 2018, Eno Mata në një letër të lënë për policinë Greke pas një grabitje pranonte përfshirjen në vrasjen e Avokatit, por theksonte se ata ishin që të dy viktima. “Nëse do ta dija si do të shkonin punët, nuk do të bëhej kështu siç u bë. Po, unë vjedh, por nuk jam vrasës,”, thuhej në shënimin.

Që pas vrasjes së avokatit dhe një paralajmërimi të Mikel Brahimajt se nën mbrojtjen e policisë greke do të tregonte emrat e porositësve, në radhët e grupit shqiptare ka pasur disa viktima. Dyshimet e autoriteteve janë se ata eliminuan njëri-tjetrin.

Arbër Bako u vra në Burgun e Koridhalosit, ndërsa si porositës u dyshua shoku i tij Klodian Lekoçaj.

Po ashtu në qelitë e burgjeve greke u ekzekutua edhe Bardhyl Tusha, njeriu që strehoi njërin nga vrasësit e avokatit grek.

Në kohën kur ka nisur vala e eliminimeve, 32-vjeçari Mata dyshohet se është kthyer në shtëpi. Prej gati dy vitesh ai jetonte në fshatin Poro, ku thuajse të gjithë e dinin se ishte në kërkim, por policia e Vlorës nuk kishte arritur ta lokalizojë.

Ndërsa Sotiraq Mehilli, 22 vjeç, rezulton pa precedentë penale dhe ishte emër i panjohur për autoritetet deri mëngjesin e se hënës kur vdiq si pasojë e atentatit! Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit teksa dy të rinjtë lëviznin me një motor. Autorët përdorën një makinë të cilës më pas i vunë flakën në Bishan për të humbur gjurmët. Brenda saj u gjetën dy armë kallashnikov, ndërsa burimet thane se targat e mjetit ishin të vjedhura në mjetet e sekuestruara nga Policia. Mbi 15 persona u shoqëruan nga Policia e FNSH që kreu kontrolle në zonë, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve të dyshuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN