Burg për korrupsion politikanit më të fuqishëm në Rumani

Politikani më i fuqishëm në Rumani është dënuar me burg pasi u shpall fajtor nga Gjykata Supreme e vendit të tij, për korrupsion.

Lideri i Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, kishte apeluar vendimin e shkallëve të mëparshme të gjyqësorit, të cilët e kishin dënuar për nxitje për shpërdorim detyre. Por vendimi është lënë në fuqi dhe Dragnea – i cili ka mbajtur edhe postin e Kryetarit të Kuvendit në Rumani – do të qëndrojë pas hekurave për tre vjet e gjysmë. Ai është shpallur më parë fajtor edhe për një çështje të manipulimit zgjedhor.

Sipas Transparency International, Rumania renditet si një prej vendeve më të korruptuara brenda Bashkimit Europian. Përgjatë dy viteve të fundit vendi ballkanik është tronditur nga protestat e shumta që kundërshtonin përp0jekjen e politikanëve për të dekriminalizuar disa prej veprave penale në lidhje me korrupsionin, si dhe të dobësonin sistemin gjyqësor.

Partia Social Demokrate ka shumicën në Kuvend dhe Senat, me 158 deputetë dhe 63 senatorë, por ka edhe numrin më të madh të kryebashkiakëve, këshilltarëve vendorë dhe kryetarëve të qarqeve, duke qenë prej rënies së komunizmit partia më e madhe në Rumani.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN