“La Sulphide”, balerinët e TKOB sjellin përrallën romantike në ArTurbina

“La Sulphide” është një zanë e bukur ajri, që do të na tregojë një histori dashurie si në përralla, një histori që u shkrua në vitin 1836 e që prej asaj dite balerinët në të gjithë botën e rrëfejnë përmes gjuhës së trupit.

Këtë histori dashurie që lind përmes James-it, një djali të ri, me zanën e ajrit, do të na e rrëfejnë këtë të enjte të fundit të majit balerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit, me të njëjtën koreografi magjike që u vendos në skenë në 1830.

“La sulphide”, që do të joshë djaloshin një ditë para dasmës së planifikuar, është balerina Ledia Sulaj, ndërsa fermeri skocez James Ruben vjen me lëvizjet e Fatjon Litos, që për herë të parë është solist në këtë vepër.

Edhe pse një rivënie skenike, në skenën e ArTurbinës, ku do të interpretohet ky balet romantik, përveç solistëve dhe kostumeve që vijnë ndryshe, risi do të jetë edhe pjesëmarrja e nxënësve të Shkollës së Baletit në këtë produksion.

Shfaqja që i bën jehonë dashurisë dhe jo martesave të përcaktuara nga familjarët, shfaqja që bën bashkë një njeri dhe një zanë, “La Sulphide” vjen në teatrin ArTurbina dy mbrëmjet e fundit të majit dhe më 1 e 2 qershor. 

Shkarkoni aplikacionin e A2