PD shtyn protestën: Respektojmë Natën e Kadrit

Opozita ka vendosur ta shtyjë protestën e saj që fillimisht ishte njoftuar për më 31 maj. Data e re është e diela e 2 qershorit, ndërsa nisja nuk ndryshon, në mbrëmje rreth orës 19:00.

Vendimi për shtyrjen e protestës u mor paraditen sotme nga grupi organizator, në respekt të besimtarëve myslimanë që me 31 maj festojnë Natën e Kadrit, një nga ditët më të rëndësishme të muajit të Ramazanit.

Njoftimi i shpërndarë për organizatorët thekson gjithashtu se data tjetër, 1 qershori, është dita e fëmijëve, ndaj dhe opozitaret vendosen të mblidhen mbrëmjen e të dielës më 2 qershor.

Edhe socialistët ndryshuan më herët axhendën e tyre për datën 31 maj, kur kishin programuar fillimisht çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Por, Kryeministri Rama njoftoi dje se ceremonia do të bëhej më 1 qershor, për të evituar që të përkiste në të njëjtën ditë me protestën e opozitës. 

Shkarkoni aplikacionin e A2