Video-skandali i korrupsionit, qeveria austriake nuk i mbijeton votëbesimit

Publikuar më: 27/5/2019, ora 19:30
austri qeveria

Video-skandali i korrupsionit, qeveria austriake nuk i mbijeton votëbesimit

Publikuar më: 27/5/2019, ora 19:30

Parlamenti austriak rrëzon qeverinë e kancelarit konservator, Sebastian Kurz, me anë të një mocioni votëbesimi në një seancë të jashtëzakonshme.

Ish-aleati i koalicionit, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë “FPO”, mbështeti mocionin e ngritur nga opozita Socialdemokrate. Këto zhvillime vijnë pas goditjes së rëndë që mori qeveria për shkak të publikimit të një video-skandali korrupsioni që i dha fund koalicionit.

Zëvendës-kancelari, Heinz Kristian Strashe i FPO, i filmuar me kamerë të fshehtë, shfaqet duke ofruar kontrata shtetërore një gruaje, e cila pretendon në mënyrë false se është mbesa e një oligarku rus. Ai dha dorëheqjen pas video-skandalit të filmuar në Ibiza dy vite më parë, por nuk pranoi të ketë bërë diçka të paligjshme.

Partia Popullore e Kurzit u distancua menjëherë nga partneri i koalicionit. Kancelari në largim tha se do të ndihmojë pasuesin e tij: “Do të kontribuoj për stabilitetin e Austrisë. Ne nuk do të pengojmë rrugën e qeverisë së ardhshme, por do t’i ofrojmë mbështetjen më të mirë”. 

Presidenti i Austrisë tani duhet të vendosë se kush do të bëhet kancelari i ri i vendit. Lideri i ri do të drejtojë një qeveri tranzitore deri në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në shtator. Kurz është kancelari i parë në historinë e pasluftës në Austri që humbet një mocion votëbesimi. 32-vjeçari ishte lideri më i ri i shtetit në botë.