Barcelona, 4 emra për të zëvendësuar trajnerin Valverde

Barcelona duket se ka përpiluar një listë me 4 kandidatë të mundshëm që do të zëvendësojnë trajnerin Ernesto Valverde, edhe pse ende nuk është marrë një vendim zyrtar për ta shkarkuar atë. Në mediat spanjolle ka qarkulluar lajmi se drejtuesit e klubit kanë zhvilluar disa mbledhje urgjente për të diskutuar mbi pozicionin e Velverde-s, i cili arriti të fitonte titullin kampion këtë vit, por dështoi në Champions League, si dhe u mund në finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencia-s.

Sidomos eliminimi në gjysmëfinale, për të dytin vit rresht, ku skuadra e tij shpërdoroi një epërsi prej 3 golash kundër Liverpool, është pika më e dobët e trajnerit spanjoll.

Sipas të përditshmes katalanase, “Mundo Deportivo”, klubi ka listuar si zëvendësues të mundshëm trajnerë si Massimiliano Allegri, Ronald Koeman, Roberto Martinez dhe Erik ten Hag.

Allegri është i lirë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Juventus-in dhe do të ishte i tunduar nga një sfidë e re në Spanjë, ku do të bëhej i pari italian që do të drejtonte klubin katalanas. Martinez drejtoi Belgjikën deri në vendin e tretë në Botërorin e verës së kaluar, por pas vetëm 35 ndeshjesh me “Djajtë e Kuq”, duket disi më e vështirë që të largohet. Ten Hag është ndoshta emri më i lakuar i momentit, pasi drejtoi Ajax-in deri në gjysmëfinalet e Champions League, ndërsa Koeman ka karakteristikat të cilët kërkohen nga klubi, pasi ka luajtur për gjashtë vite në “Camp Nou”.

Shkarkoni aplikacionin e A2