Holandezët zbardhin raportin: Shkëputja e marrëdhënieve Qeveri-Opozitë pengon demokracinë

Në prag të projekt- raportit për mundësinë e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, një tjetër raport, jo aq i rëndësishëm por gjithsesi domethënës vjen nga delegacioni holandez që ka vizituar Tiranën dhe Shkupin në periudhën 6-8 maj.

Sipas raportuesit Anne Mulder, edhe pse Shqipëria po bën një progres me reformën në drejtësi, nuk mungon të nënvizoi se aktualisht vendi edhe si pasojë e Vettingut nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Raportuesja tregohet në veçanti e shqetësuar për atë që cilëson si “shkëputje e marrëdhënieve Qeveri-Opozitë” pas djegieve të mandateve, dhe se kjo mungesë po pengon demokracinë në vend.

Delegacioni holandez në Tiranë gjatë vizitës më 6-7 maj

Korrupsioni sipas raportit mbetet një plagë për vendin, ndërsa vlerësohet lufta kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike.  

Ndërkohë, Mulder ka përshkruar me tone më pozitive situatën në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar pikërisht se “bashkëpunimi konstruktiv” i mazhorancës dhe opozitës maqedonase ka dhënë si rezultat zgjedhje “të suksesshme dhe pa problematika”, me rezultatin e pranuar nga palët. Shkupi sipas holandezëve ka bërë progres edhe në nismat anti-korrupsion dhe në uljen e tensioneve ndëretnike.    

Raporti holandez në mbylljen e tij nuk mungon të nënvizojë rëndësinë që ka “vlerësimi individual i progresit të çdo vendi”, duke nënkuptuar një qasje prioritare për rezultatet e Maqedonisë së Veriut.  

Shkarkoni aplikacionin e A2