Katër policë të plagosur gjatë operacionit në Kosovë, arrestohen serbë, shqiptarë e boshnjakë

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë operacionit që zhvilloi në disa rajone të ndryshme të veriut të Kosovës, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj dhe Drenas, deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë serbë, por edhe shqiptarë e boshnjakë që shërbenin në Policinë e Kosovës në këto rajone. Sipas Policisë, të gjithë janë të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, si kontrabandë mallrash.

Ndërkohë, 4 policë janë plagosur, njëri prej tyre me armë zjarri dhe tre janë lënduar nga mjete të tjera. Ata janë shtruar në Spitalin e Mitrovicës, ku ndodhen edhe dy protestues, njëri prej tyre shtetas rus dhe tjetri serb.

Nga ana tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, një organizatë joqeveritare që vepron në Prishtinë, tha se numri i të arrestuarve dhe të ndaluarve ka shkuar në 30, kryesisht policë të Kosovës të etnisë serbe, ndërsa ka edhe policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë.

Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë në disa vepra penale, si pjesëmarrje ose organizim i grupeve kriminale, kontrabandë mallrash, keqpërdorim te pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit etj. Policia theksoi se operacioni nuk lidhet me rastin e vrasjes së policit nga Kosova, Enver Zymberi, në vitin 2011, dhe as të politikanit serb, Oliver Ivanovic, më 2018, siç u thanë disa media serbe dhe lokale.

Policia gjithashtu njofton se ka shoqëruar edhe disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të cilët kanë vendosur barrikada në rrugë në përpjekje për të ndaluar kalimin e policëve.

Tensioni transferohet në Serbi, ushtria në gatishmëri luftarake

Radio Televizioni i Serbisë raporton se presidenti Aleksandar Vucic urdhëroi vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake, ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, tha se situata është “dramatike”.

KFOR: Nuk përzihemi në operacionet e Policisë

KFOR, forca paqeruajtëse në Kosovë e udhëhequr nga NATO, ka reaguar për operacionin policor që po zhvillohet në veri të vendit, duke thënë se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në një aksion të Policisë.

Zëdhënësi Vincenco Graso ka folur për mediat serbe duke u shprehur se aksioni i Policisë po zhvillohet me urdhër të Gjykatës së Prishtinës. “Operacioni i Policisë po zhvillohet në të gjithë Kosovën, jo vetëm në veri dhe nuk është kundër serbëve, vetëm kundër personave të dyshuar për krim dhe korrupsion”, ka thënë Graso. “Ne tani për tani përcjellim situatën, jemi në kontakt me autoritetet në Prishtinë. E kemi thënë edhe më herët, ne nuk përzihemi në aksionet e Policisë, derisa nuk na kërkohet të intervenojmë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2