
Ministri britanik paralajmëron: Brexit pa ujdi është vetëvrasje politike
Kandidati për lidershipin konservator, Jeremy Hunt paralajmëroi se partia e tij do të shkonte drejt një vetëvrasjeje politike nëse do të mbështeste një Brexit pa ujdi. Sipas tij, ky opsion do të çonte drejt mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, që do të sillnin laburistët në pushtet.
“Duhet të bëjmë shumë kujdes kur themi se do të dalim nga BE në datë fikse me ose pa marrëveshje. Ekziston rreziku që parlamenti të bllokojë Brexitin pa ujdi dhe më pas do të shkonin në zgjedhje të parakohshme. Nëse kjo ndodh, Partia Konservatore do të asgjësohej, pasi ne premtuam në zgjedhjet e fundit të përmbyllnim Brexit. Zgjidhja më e mirë është të gjejmë një mënyrë për një largim të rregullt”, tha Jeremy Hunt, ministër i Jashtëm.
Ministri i Jashtëm është një ndër dhjetë personat që kërkojnë të zëvendësojnë kryeministren në largim, Theresa May. Boris Johnson, kandidati favorit për pasimin e May, nuk pranoi të komentonte nëse Brexit pa ujdi do të ishte vetëvrasje politike për konservatorët. Ndërsa ministri për strehim, një tjetër kandidat për lidereshipin konservator, theksoi se e rëndësishme është eliminimi i përçarjeve.
“Së pari ne duhet të bashkohemi, së dyti duhet të kemi një plan për Brexit dhe së treti një agjendë detyruese, e cila zgjidh shumicën e problemeve të vendit dhe që flet për shqetësimet e popullit”, tha Kit Malthouse, ministër për strehimin. Ndër të tjera ai kërkon që Britania të përgatitet për çdo skenar të mundshëm, përfshirë atë të largimit pa ujdi nga Bashkimi Europian.