Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Operacioni policor në Kosovë, krerët e shtetit apel serbëve

Nga A2 CNN
28 Maj 2019, 11:27 | Kosova
Operacioni policor në Kosovë, krerët e shtetit apel serbëve

Krerët e shtetit të Kosovës kanë reaguar në lidhje me operacionin policor që po zhvillohet në disa komuna të vendit, ku janë arrestuar disa persona, mes tyre policë serbë pjesë e Policisë së Kosovës, por edhe kontrabandistë serbë e shqiptarë.

Përmes një statusi në Facebook, Kryeministri Ramush Haradinaj ftoi Serbinë që të mos minojë përpjekjet e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar. “Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për progresin tonë të përbashkët dhe nuk duhet të mbështetet mbi bazën e përkatësisë etnike dhe të çfarëdo baze tjetër”, shkroi Haradinaj. “Qeveria e Serbisë nuk duhet të synojë minimin e përpjekjeve tona për luftimin e krimit të organizuar”.

Presidenti Hashim Thaçi i bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të bashkohen me Policinë kundër krimit. “Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi. “Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike”.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i bëri thirrje serbëve që të mos pengojnë punën e Policisë. “Askush nuk do të shpëtoj nga dora e ligjit, përfshi ata njerëz që kanë abuzuar duke mbajtur uniformë e poste zyrtare të shtetit të Kosovës. Përgëzoj policët për kurajën dhe profesionalizmin e dëshmuar. Shpreh solidaritetin për policët e plagosur duke iu dëshiruar një shërim sa më të shpejtë. U bëj thirrje bashkëqytetarëve tanë të komunitetit serb, që të vetë-përmbahen, të ruajnë qetësinë si dhe mos të bien pre e propagandës që synon të instrumentalizojë për qëllime politike një aksion të rendit publik”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë