Parlamenti serb diskuton për Kosovën, Vuçiç: Duhet kompromis

Mungesa e një kompromisi për Kosovën do të ketë pasoja të rënda si për Beogradin ashtu edhe Prishtinën. Me këtë paralajmërim, ju drejtuar parlamentit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në një fjalim që zgjati 2 orë.

“Ne duhet të zgjedhim mes gënjeshtrave të ëmbla dhe të vërtetës së hidhur. Ka mundësi që nuk do të arrijmë kompromis në 5 apo 10 vitet e ardhshme dhe kjo do të kishte pasoja katastrofike si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët. Marrëveshja dhe kompromisi nuk janë humbje, por fitore”, tha presidenti serb para deputetëve.

Ndërsa përmendi arritjet e shënuara gjatë dialogut disa vjeçar me Kosovën, Vuçiç ripërsëriti qëndrimin se nuk do të riulet në tryezën e bisedimeve deri ne heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Megjithatë, duke paraqitur një raport lidhur me bisedimet e deritashme, presidenti serb tha se ajo është humbur për fajin e të tjerëve.

’Pas 7 vjetësh bisedime me Prishtinën mund t’iu them se nuk kemi humbur asgjë përpos asaj që ka qenë e humbur. Kemi fituar paqe dhe siguri më të madhe për serbët në Kosovë dhe çfarë është më e rëndësishmja, mundësinë për të vazhduar luftën tonë. Po përpiqemi ta kthejmë Serbinë në jetë dhe bisedime, të ruajmë paqen dhe stabilitetin politik”, u shpreh Vuçiç.

Në seancë morën pjesë 156 deputetë, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ministrat dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Megjithatë, një pjesë e opozitës, e cila tash e sa kohë e bojkoton punën e Parlamentit, nuk ishte e pranishme. 

Shkarkoni aplikacionin e A2