Renault dhe FIAT – Chrysler kërkojnë shkrirjen

Prodhuesi francez i automjeteve Renault po shqyrton një ofertë nga kompania italo-amerikane Fiat Chrysler për shkrirjen e dy kompanive. Kjo lëvizje do t’u jepte palëve aksione të barabarta dhe do të krijonte prodhuesin e tretë më të madh në botë, pas Volkswagen dhe Toyota.

Por mbi të gjitha, kompanitë kanë nevojë për njëra-tjetrën në garën për makinat elektrike dhe që vetëdrejtohen. Ideja vjen gjithashtu në një kohë kur shitjet botërore po bien dhe prodhuesit kërkojnë të reduktojnë kostot. Nga ky bashkim, dy prodhuesit do të kursenin 5 miliardë dollarë në vit.

Fiat-Chrysler aktualisht zotëron edhe marka si Jeep, Dodge, Alfa Romeo dhe Maserati, duke pasur si treg kryesor Amerikën e Veriut, ku Renault ka një prezencë të dobët. Ndërsa kompania franceze është më e fortë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Ndërkohë prodhuesit e tjerë kanë gjetur forma të tjera bashkëpunimi për të zhvilluar teknologji të reja. BMW dhe Daimler po punojnë për të ngritur stacione karikimi për mjetet elektrike, ndërsa Ford dhe Volkswagen po zhvillojnë modele të përbashkëta elektrike. Të gjitha këto bëhen nën presionin e autoriteteve për të ulur ndotjet dhe nga konkurrenca e kompanive si Tesla.

Shkarkoni aplikacionin e A2