
Zgjedhjet për BE, shtetet në kërkim të liderit të ri të Unionit
Liderët e Bashkimit Evropian janë në Bruksel për të vlerësuar panoramën pas zgjedhore dhe për të nominuar kandidatët e tyre për pozicionet më të larta drejtuese të Unionit. Bisedimet për këtë çështje, përfshirë zëvendësimin e Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, pritet të zgjasin disa muaj. Për herë të parë grupet tradicionale të qendrës nuk kanë një mazhorancë.
Zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian fuqizuan nacionalistët, të Gjelbrit dhe Liberalët duke përçarë dhe më shumë Unionin dhe duke bërë që gjetja e një konsensusi të jetë dhe më e vështirë.
“Partia popullore Evropiane është e gatshme për të gjitha kompromiset e nevojshme pasi ne nuk mund të festojmë një fitore të madhe. Ne humbëm ligjvënës. Por ne jemi akoma forcë e parë, prandaj jemi të gatshëm të flasim me të gjithë, të ulemi së bashku dhe të gjejmë një dakordësim të përbashkët për të ardhmen”, thotë Manfred Weber, kandidat për Komisionin Evropian.
“Mendoj se ka ardhur koha. Ne nuk kemi patur kurrë një presidente femër. Nëse duam të përfaqësojmë evropianët, nuk mund të injorojmë gjysmën e popullatës të BE-së”, deklaroi Ska Keller, kandidatja tjetër për një vend në KE.
“Ne do të luftojmë për Frans Timmermans që të jetë ai presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian. Ditë pasdite shikoj mundësi në rritje për mazhorancë në Këshillin dhe në Parlamentin Evropian”, thekson Udo Bullman, lideri i Aleancës Socialdemokrate.
Ndërsa partitë euroskeptike kërkojnë që shtetet anëtare të kenë më shumë fuqive vendimmarrëse dhe nuk kanë paraqitur deri më tani ndonjë kandidat për drejtimin e Komisionit Evropian.