“A2 Business Week”, Shalsi: Informaliteti është ende problem në ekonomi

Progres-raporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së Shqipërisë, por ka pasur edhe kritika për PPP-të dhe klimën e biznesit. Eduard Shalsi, ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, i ftuar në “A2 Business Week”, ka folur mbi klimën e biznesit dhe problemet e sipërmarrjes në Shqipëri.

“4 sondazhet e fundit mbi biznesin thonë që biznesi sot është shumë më optimist sesa ishte disa vite më parë. Tranzicioni shqiptar shkatërroi institutet dhe duhet kohë për t’u ringritur. Sistemi arsimor degradoi dhe jemi dëshmitarë të atyre diplomave që i kemi nëpër këmbë. Ka disa procese për të cilat ne kemi hapur rrugën e duhur, por mos prisni që një institut i ndërtuar për 30 vite të ndërtohet brenda një mandate dhe të funksionojë”, deklaroi ministri.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli vuri në dukje që informaliteti është problem i madh i ekonomisë sonë. Ministri Shalsi theksoi se qeveria po bën përpjekje për ta ulur sa më shumë.

“E pranoj që informaliteti vazhdon të jetë problem, por që ta luftosh duhet një kuadër institucional. U nisëm nga 60% informalitet dhe tani jemi në nivelin 30%. Në një vend me 2,8 milionë banorë, me 400 mijë ndërtime pa leje, kishe fuqi punëtore që sot është formalizuar. 100% nuk e bëjmë dot sot për nesër”, theksoi Shalsi.

Shkarkoni aplikacionin e A2