Hahn: Kosova të heqë tarifën ndaj Serbisë

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, theksoi se Kosova duhet të shfuqizojë sa më shpejt taksën prej 100% të vlerës ndaj mallrave serbe, për të bërë të mundur vazhdimin e dialogut dhe mbylljen e tij me një marrëveshje të pranuar nga të dy palët.

Gjatë prezantimit të progres-raportit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Hahn kritikoi këtë lëvizje të Kosovës duke thënë se vendi duhet të kthejë përqendrimin politik drejt rrugës së përparimit europian. “Arritjet në disa reforma kyçe të lidhura me Bashkimin Europian janë errësuar nga tarifat e vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, që duhet të hiqen”, u shpreh komisioneri. “Sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, të dy palët duhet të kontribuojnë për krijimin e kushteve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Në këtë kontekst, të dy shtetet duhet të shmangin të gjitha veprimet që konsiderohen si provokime nga pala tjetër”.

Në përmbledhjen për Serbinë dhe Malin e Zi, Hahn vuri në dukje se të dy vendet kanë bërë disa përparime, por kanë ende punë për të bërë në disa pika kyçe. “Të dy shtetet duhet të vënë me urgjencë në zbatim reforma sa i përket sundimit të ligjit. Ky ësht ëkushti më i rëndësishëm për to në rrugën drejt integrimit”, shtoi Hahn.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN