
Huawei padi qeverisë “Trump”: Sanksionet dëmtojnë miliona përdorues
Futja e Huawei në listën e zezë tregtare vendosi një precedent të rrezikshëm që do të dëmtojë miliona konsumatorë. Konfirmimi vjen nga drejtuesi i zyrës ligjore i gjigandit teknologjik kinez.
Duke folur në një konferencë, Song Liuping, tha se ndalimi tregtar do të dëmtojë gjithashtu drejtpërdrejtë kompanitë amerikane dhe vendet e punës.
“Ne besojmë se kjo vendos një precedent të rrezikshëm. Sot është Telekomi i Kinës dhe Huawei, por nesër mund të jetë industria dhe kompania juaj, si dhe konsumatorët tuaj.” deklaroi shefi i zyrës ligjore të Huawei.
Uashingtoni, së fundi, vendosi Huawei në listën e kompanive, me të cilat firmat amerikane nuk mund të tregtojnë, vetëm në rast se posedojnë një licencë. Ndalimi është pjesë e një beteje të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe gjigandit teknologjik kinez.
“Ky fragmentim i mëtejshëm do të jetë një zhvillim shumë i keq për të gjithë zinxhirin global të industrisë së teknologjisë, për të gjithë konsumatorët dhe kompanitë në të gjithë botën.” shtoi Song Liuping.
Huawei sfidoi ligjërisht dekretin e presidentit amerikan, Donald Trump me ngritjen e një padie ndaj qeverisë së tij. Kjo është përpjekja e fundit për të luftuar sanksionet e Uashingtonit që kërcënojnë të nxjerrin kompaninë kineze jashtë tregut global.
Qeveria Trump e bllokoi Huawein, prodhuesin më të madh të pajisjeve të telekomunikacionit, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.