Kukan: Zgjedhjet duhet të mbahen më 30 qershor

Eduard Kukan, eurodeputet i Partive Popullore Europiane dhe Kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE për Ballkanin Perëndimor, tha në një intervistë për A2 CNN në Bruksel se data e zgjdhjeve vendore nuk duhet të ndryshohet.

“Sa i përket zgjedhjeve vendore, data duhet të ruhet sepse është caktuar sipas Kushtetutës. Do të jenë një mundësinë e mirë për elitën tuaj politike që të bien dakord për një zgjidhje dhe zgjedhjet të jenë demokratike. Nuk presim zgjedhje pa opozitën, kjo është tepër negative”, tha Kukan, duke shtuar se ishte ende shumë herët për të thënë nëse do të njiheshin apo jo zgjedhjet pa opozitën.

I pyetur për progres-raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kukan shtoi: “Nuk e kam parë raportin, por të gjithë presim lajme të mira, sidomos për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me shpresën e marrjes së datës për nisjen zyrtare të negociatave. Situata në vendin tuaj nuk është shumë e mirë, është shumë e tensionuar, por ka pasur pa dyshim shumë progres, kështu që mendoj se do të jetë një inkurajim për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”.

Por sa do të ndikojë kriza politike në Shqipëri në vendimin përfundimtar të Këshillit Europian? “Nuk do të thosha që do të vendimi do të shtyhet, por do të ndikojë patjetër. Të gjithë po ju shohin nga afër dhe këto nuk janë zhvillimet që rrisin ambiciet tuaja”, tha Kukan.

Shkarkoni aplikacionin e A2