
Malajzia kthen në SHBA dhe Britani mbetjet e futura ilegalisht
“Nuk jemi koshi i mbeturinave i vendeve të pasura”. Ky ishte vendimi i qeverisë malajziane për të kthyer mbrapsht në Australi, Britani dhe SHBA mbi 3 mijë tonë plastikë jo të riciklueshme.
Mbetjet, e ngarkuara në 60 konteinerë, ishin duke u futur në vend fshehurazi dhe do të dërgoheshin në landfille ilegale.
“Jemi një vend i vogël dhe nuk mund të jemi viktima të bullizmit nga vendet e zhvilluara”, shpjegoi ministri i Ambientit.
Autoritetet malajziane kanë mbyllur deri tani 150 vendgrumbullime ilegale mbeturinash në vend. Fenomeni i mbetjeve “klandestine”, të futura në Malajzi, u shtua ndjeshëm që në momentin që Kina ndaloi importimin e tyre.