McAllister: Zgjedhjet janë të mira kur partitë marrin pjesë

Ish-negociatori i krizës politike, David McAllister, në një intervistë ekskluzive për A2 CNN, deklaroi se “zgjedhjet janë të mira kur të gjitha partitë politike janë të përfshira dhe marrin pjesë në zgjedhje”.

Dy vjet më parë, ju erdhët në Tiranë me një paketë zgjidhjeje për krizën politike. Dy vjet më pas, ata kanë të njëjtin problem. Opozita është jashtë Parlamentit, dogji mandatet, zhvillon protesta. Cili është apeli juaj në këtë rast?

Nuk kam asnjë koment për politikën e brendshme në Shqipëri. Ajo çfarë dua të them është se vendi duhet të vijojë të ecë përpara në rrugën e integrimit europian. Dhe kjo është përgjegjësi e qeverisë dhe e opozitës. Mendoj se është normale në demokraci që të ketë qëndrime të ndryshme për disa çështje, por është e shëndetshme që të kihet konsensus se integrimi europian është një gjë e mirë për vendin tuaj. Prandaj nuk kam asnjë koment për mënyrën se si politika shqiptare po vepron.

A duhet qeveria të shtyjë zgjedhjet e 30 qershorit, njësoj siç kërkon opozita?

Unë nuk e di. Nuk jam mazhoranca e as opozita. Zgjedhjet duhet të ndodhin në një mënyrë paqësore.

Po për protestat e opozitës? A ka pasur dhunë në to? Hedhja e flakadanëve drejt institucioneve?

Protesta në demokraci është diçka normale. Dhe sigurisht qeveria dhe opozita kanë këndvështrime të ndryshme. Ne kemi lirinë e fjalës dhe të shprehjes, të kuvendimit. Në botën demokratike kjo është shumë mirë. E rëndësishme është që në demokraci të gjitha protestat të bëhen në mënyrë paqësore.

Në një vend demokratik, a do të njiheshin zgjedhjet pa opozitën?

Unë mendoj që zgjedhjet janë të mira kur të gjitha partitë politike janë të përfshira dhe marrin pjesë në zgjedhje. Por, gjithsesi, ka shumë gjëra në politikën e brendshme shqiptare që nuk do doja t’i komentoja me detaje.

Dy vjet nga koha kur ju erdhët në Tiranë, cili është impresioni juaj për gjithçka po ndodh tani me politikën shqiptare?

Shqipëria, vend i mrekullueshëm, njerëz shumë të bukur!

Shkarkoni aplikacionin e A2