Milano “dashurohet” me shqiptarët. Ofertë e Interit për Hysajn, Tare drejt Milanit

hysaj 600x338

Shqiptarët janë në modë në futbollin italian. Prej vitesh protagonistë në Serinë A, ashtu edhe një kategori më poshtë, por së fundmi në listën e dëshirave të klubeve më të mëdha përtej Adriatikut.

Elseid Hysaj është emri i “nxehtë” i merkatos. Sipas gjasave, ylli kuqezi do të largohet nga Napoli pas marrëdhënies së vështirë me Ançelotin. Interesi për mbrojtësin është i madh nga Italia, Anglia dhe Spanja, me Interin që duket në avantazh.

Me kthimin e Vrsaljkos te Atletico Madrid, zikaltërit janë në kërkim të një lojtari për krahun e djathtë. Administratori i Interit, Beppe Marotta ka piketuar Hysajn si alternativën e parë, e madje, sipas mediave italiane, Interi ka bërë një ofertë zyrtare te Napoli për të nisur negociatat.

Kjo lidhet edhe me faktin se për Hysajn interesohen edhe Chelsea e Arsenali në Angli, me lojtarin që është vëzhguar edhe nga Atletico Madrid. Çmimi për mbrojtësin shqiptar është 25 milionë euro, shifër e përballueshme nga klubet e interesuara.

Një tjetër shqiptar për të cilin po flitet shumë në Milano është edhe Igli Tare. Drejtori sportiv i Lazios, i cili është vlerësuar disa herë në vitet e fundit si më i miri në këtë rol drejtues në kampionatin italian, është objektivi i Milanit.

Pas largimit të trajnerit Gattuso dhe të drejtorit teknik, Leonardo, ish-kapiteni i Shqipërisë është i pari në listën e kandidatëve të klubit kuqezi. Shefi ekzekutiv i Milanit, Ivan Gazidis e pëlqen për faktin se Tare ka konfirmuar aftësitë për të evidentuar lojtarë të rinj, duke i shitur më pas me çmime mjaft të larta, por edhe sepse 45-vjeçari do të vazhdonte bashkëpunimin mjaft të mirë me Simone Inzaghi-n, kandidatin potencial për stolin e “Djallit”.