
Presidenti i ri i KE, Gjermania dhe Franca nuk bien dakord
Liderët e Bashkimit Europian u mblodhën të martën në Bruksel për të diskutuar lidhur më emërimet në postet kyçe të bllokut, por Franca dhe Gjermania nuk bien dakord mbi atë që do të pasojë Jean-Claude Juncker, si presidenti i Komisionit Europian.
Kancelarja Angela Merkel mbështet kandidatin e qendrës së djathtë Manfred Weber, por presidenti francez as nuk e përmendi emrin e tij si pretendent për postin e rëndësishëm.
“Duke qenë se i përkas koalicionit të madh, mbështes dhe jam për emërimin e Manfred Weber si Presidenti i Komisionit Europian, por jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim”, tha Merkel.
“Margaret Vestager, ashtu si kryenegociatori i BE për Brexit, Michael Barney, apo socialisti Timermans i kanë kompetencat për këtë post. Por unë nuk dua të diskutoj për emrat, por për prioritetet dhe kriteret”, u shpreh Macron. Zgjedhjet e Parlamentit Europian e lanë edhe më fragmentarizuar unionin, ndërsa mundësia e arritjes së konsensusit behet më e vështirë. Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, tha se Brexit ishte faktori kryesor që shtyu votuesit të favorizojnë partitë pro europiane. Zyrtarët e rinj të Bashkimit Europian do të marrin detyrën në 1 nëntor, me përjashtim të kreut të Këshillit Europian që e nis punën në 1 dhjetor.