Rama, mesazh Bashës: Mendo për Shqipërinë, jo për partinë!

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, pati një thirrje për Lulzim Bashën.

“Dua t’i qëndroj besnik bindjes që kam që nuk duhet të flas për opozitën në gjuhë të huaj. Përkthyesi të mos përkthejë nga unë asgjë për opozitën. Ama, një gjë është e sigurtë nga raporti dhe këtë e kam apel për Lulzim Bashën dhe për atë pjesë të opozitës që është rrugëve. Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Evropian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë dhe jo për partinë; është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër dhe jo për zgjedhjet e radhës; është mirë që të mos furnizojnë ata që janë të lëkundur me pamje të gënjeshtërta protestash partiake dhe jo popullore”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, progres-raporti për Shqipërinë nga ana e Komisionit Europian “është afirmim i faktit që i kemi bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë”.

“Komisioni Evropian, i cili është mekanizmi më i besueshëm lidhur me vlerësimin e ecurisë së një vendi, sot ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Vitin e shkuar morëm rekomandim dhe Këshilli Evropian vendosi që në qershor të vitit 2019 të zyrtarizojë çeljen e negociatave dhe në dhjetor të nisë procesi me konferencën ndërqeveritare. Çka është e rëndësishme për ne është se përsëri Komisioni ka konfirmuar progres bazuar në fakte, shifra dhe analiza dhe ka rirekomanduar çeljen zyrtare, ndërkohë që ndryshe nga ç’ka ndodhur me vendet e tjera, Shqipëria ka nisur procesin “screening”, që zakonisht nis pas zyrtarizimit. Kjo do të thotë që nuk kemi humbur asnjë minutë. Nga koha kur u dha rekomandimi i parë, ka qenë vit pune intensive me komisionin”, theksoi Edi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2