Raporti i KE: Politika e polarizuar, opozita la kuvendin

Raporti i Komisionit Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në agjendën e reformave integruese, por thekson se polarizimi i fortë vazhdoi në sferën politike.

“Veprimtaritë parlamentare u prekën nga një bojkot i zgjatur nga partitë e opozitës, të cilat hoqën dorë edhe mandatet e tyre parlamentare në shkurt 2019. Partitë e opozitës duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike”

Raporti i Komisionit Europian

Reforma në Drejtësi ka rezultuar të ketë bërë një progres të mirë në përgjithësi. Raporti njeh rezultatet e procesit të vetting-ut, por njësoj si një vit më parë, kërkon që të mos humbet kohë me ngritjen e trupave që do të gjykojnë korrupsionin, SPAK dhe BKH.

“Në vitin 2019 e në vijim, Shqipëria duhet të përparojë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të përfundojë trupat e specializuara investigative për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të konsolidojë institucionet e reja të drejtësisë”

Raporti i Komisionit Europian

Vitin e shkuar, Komisioni Europian vijonte të cilësonte një problem serioz korrupsionin në Shqipëri. Raporti i këtij viti vlerëson se rekomandimet e vjetshme janë plotësuar pjesërisht ose plotësisht. Por njësoj si atëherë, dënimet për zyrtarët e lartë mbeten të ulëta.

Komisioni Europian i njeh merita Shqipërisë në progresin e bërë për zbatimin e rekomandimeve të vitit të shkuar për luftën ndaj krimit të organizuar, megjithatë kërkon më shumë progres në luftën kundër pastrimit të parave dhe aseteve kriminale.

“Operacionet policore për të çmontuar organizatat kriminale janë intensifikuar. Në vitet e fundit, Shqipëria ka treguar vazhdimisht një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit”

Raporti i Komisionit Europian

Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet, raporti vlerëson se nuk është bërë progres në zbatimin e tyre, pavarësisht punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Edhe partitë politike kanë zbatuar pjesërisht rekomandimet.

“Kërkohen reforma te mëtejshme, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Partitë kryesore të opozitës kanë vendosur të mos paraqesin listat e tyre të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme lokale. Afati i fundit për regjistrimin e palëve ka skaduar”

Raporti i Komisionit Europian

Sa i përket kërkesave për azil, Shqipëria dukshëm ka bërë hapa pas.

“Numri i azilkërkuesve në vitin 2018 është rritur me më shumë se dhjetëfish krahasuar me vitin 2017. 4386 individë kanë aplikuar për azil në Shqipëri, kundrejt 309 në vitin 2017”

Raporti i Komisionit Europian

Sipas Komisionit Europian, Shqipëria është e përgatitur mesatarisht për reformën në administratën e saj publike.

Shkarkoni aplikacionin e A2