Roth kritikon opozitën në Shqipëri dhe mesazh BE: Të mbajë premtimet ndaj Ballkanit

Michael Roth, ministrit i Shtetit për Evropën pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku ka folur për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për situatën aktuale në Shqipëri.

Roth është shprehur se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin për Ballkanin.

“Kryetarët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë hapur perspektivën e anëtarësimit për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor që në vitin 2003. Këtë premtim e përsëritën në vitin 2018.  Komisioni i BE-së do të publikojë këtë të mërkurë raportet vjetore për të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe do të rekomandojë  çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai certifikon për të dy këto vende, se i kanë bërë „detyrat e shtëpisë“  dhe se i kanë plotësuar kushtet që iu vendosën prej Këshillit vitin e shkuar. Tani e ka radhën BE të „bëjë detyrën e vet“. Ne i qëndrojmë fjalës dhe duhet të mbajmë premtimin. Sepse për Ballkanin Perëndimor është shumëçka në lojë. Dhe për Bashkimin Evropian bëhet fjalë për interesa jetësore në aspektin e sigurisë, por edhe për besueshmërinë e tij”.

Ai tha se nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. “Stabilizimi dhe përfshirja e rajonit është në interesin evropian, e para së gjithash në atë gjerman. Në fund të ditës Ballkani Perëndimor është atriumi i shtëpisë evropiane. Situata e këtyre vendeve, që shtrihen në mes të Evropës, rrethuar plotësisht nga shtete të BE-së, na prek drejt për së drejti. Nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Dhe që Bashkimi evropian të humbë ndikim në mënyrë të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk mund të jetë në interesin tonë.  Suksesi në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian përcaktohet para së gjithash prej faktit, nëse ne do të mund të paqësojmë, stabilizojmë dhe demokratizojmë Evropën në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim duhet të veprojmë duke vështruar para, me urtësi dhe kurajo. Ballkani Perëndimor mbetet guri i provës për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, atij të demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës në siguri dhe mirëqenie. Vlerat tona mund të jenë vënë nën trysni, por ato vazhdojnë të mbeten produkti më i rëndësishëm i eksporteve tona”.

Sa i përket situatës konkrete në Shqipëri, Roth nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës, duke thënë se opozita ia del gjithnjë të prodhojë pamje dramatike, ndërsa vlerësoi reformat e ndërmarra. “Kjo lidhet para së gjithash me faktin që opozita ia del gjithnjë të prodhojë pamje dramatike – në vend që  të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në kontekstin e një konkurrimi politik idesh në parlament, të cilin aktualisht e ka bojkotuar. Por kjo politikë e papërgjegjshme obstruksioniste nuk duhet të errësojë gjithë sa vendi ka arritur.  Në kuadër të reformës në drejtësi, përmes një procesi deri më tani unik në mbarë botën – shoqëruar nga ekspertë evropianë – është duke u verifikuar integriteti i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Rreth dy të tretat e subjekteve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të verifikuar deri më tani nuk e kanë kaluar me sukses këtë test. Ata janë larguar në mënyrë konsekuente nga postet e tyre, të cilat janë duke u plotësuar hap pas hapi. Organet shqiptare të sigurisë – policia dhe strukturat e mbrojtjes së kufirit – bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mirë me autoritetet  gjermane, austriake dhe italiane, e që prej pak kohësh edhe me Agjencinë e BE-së për Mbrojtjen e Kufirit FRONTEX. Shqipëria ka bërë një pjesë të mirë të rrugës në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian; veç të tjerash ajo është  anëtare e NATO-s që prej vitit 2009”, u shpreh ministri gjerman.

Shkarkoni aplikacionin e A2