Sadiku dhe Ismajli zbulojnë problemet e Panuccit dhe objektivat

Dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku dhe Ardian Ismajli dolën para gazetarëve disa ditë para ndeshjeve eliminatore me Islandën dhe Moldavinë, të vlefshme për Kampionatin Evropian të vitit 2020.  Lojtarët e Përfaqësueses shqiptare u shprehën optimistë se në dy ndeshjet e radhës do të marrin rezultate pozitive.

“Islanda luan mirë në lojën në ajër, rezultatet e saj flasin vetë pasi ka shkuar në Evropian dhe Botëror. Duhet të harrojmë eksperiencat në dy ndeshjet e mëparshme me ta dhe të shkojmë atje dhe të marrim një rezultat pozitiv, pasi atmosfera në ekip është e mirë.”, deklaroi Sadiku.

Sulmuesi që luajti në sezonin e fundit për Luganon, vlerësoi trajnerin e ri dhe tregoi disa nga problemet që ekipi ka pasur me Pannucin.

“Misteri ka punuar në stërvitje skemën 3-5-2 që do të praktikojë në ndeshjen me Islandën. Stërvitja ka qenë intensive dhe trajnerit i pëlqen të rrijë në fushë dhe të japë këshilla.  Fatmirësisht kemi shumë kohë deri në ndeshjen me Islandë dhe po përgatitemi fort që të japim më të mirën”, u shpreh Sadiku për gazetarët.

Gjatë deklaratës së tij sulmuesi kuqezi shpjegoi dhe arsyet e dështimit të trajnerit të mëparshëm të Kombëtares.

“Që pas Evropianit të Francës kanë ardhur dhe prurje të reja dhe shumica e ekipit ka pasur probleme me klubet e veta. Me Panuccin nuk krijuam raporte shumë të mira, kjo për shkak dhe rregullave të reja. Me misterin e ri shpresojmë të gjejmë grupin që mungoi me Panuccin.” deklaroi ai.

Në fund, Sadiku tregoi dhe për të ardhmen e tij duke thënë se ka dhe dy vjet kontratë me Levanten dhe në korrik do të kthehet aty.

Edhe qendërmbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli shprehu optimizmin e tij për dy ndeshjet e radhës së Shqipërisë. Ish kapiteni i Kosovës u shpreh se beson tek kualifikimi në Evropian dhe se nuk ka probleme në skemën me 3 mbrojtës.

“Islanda nuk është siç ka qenë dhe shpresoj që do marrim rezultat pozitiv. Nuk kam asnjë problem me skemën. Nëse marrim 3 pikë me Islandën, presim Moldavinë brenda dhe kemi shumë shanse për kualifikim.”, deklaroi para gazetarëve mbrojtësi kuqezi.

Kombëtarja Shqiptare do të ndeshet në 8 qershor me Islandën dhe më pas në 11 qershor pret Moldavinë në “Elbasan Arena”

Shkarkoni aplikacionin e A2