Dështon mbledhja e fundit e këshillit bashkiak të Durrësit, bojkot nga opozita dhe firo nga PS

Ka dështuar pasditen e së mërkurës mbledhja e fundit e këtij mandati të këshillit bashkiak të Durrësit. Nga 51 anëtarë që ka ky këshill, në sallë ishin të pranishëm vetëm 17 prej tyre, 14 anëtarë të PS dhe 3 të LSI. Në mbledhje nuk ishte i pranishëm as kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili nuk do të kandidojë më për këtë post pas 3 mandatesh.

Duke pasur parasysh ndarjen e mandateve në këshillin bashkiak të Durrësit, rezulton se përveç opozitës së bashkuar, në këtë bojkot ka pasur firo edhe nga Partia Socialiste, me të paktën 2 anëtarë, që nuk janë paraqitur në mbledhje.

Në kushtet kur në sallë nuk ishin të pranishëm ¾ e anëtarëve të këshillit, mbledhja e fundit ka dështuar, duke e mbyllur me bojkot këtë mandat. Në mbledhje ishin parashikuar që të miratoheshin 11 pika të rendit të ditës, midis të cilave edhe ajo e familjeve që do të përfitonin banesa sociale me qira. Tani, mbledhja e radhës pritet pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe krijimit të këshillit të ri bashkiak.

Shkarkoni aplikacionin e A2