Fajdet në Korçë, për borxhin 25 milionë lekë i marrin 4-fishin e vlerës – A2

Fajdet në Korçë, për borxhin 25 milionë lekë i marrin 4-fishin e vlerës

Fenomeni i fajdeve jashtë sistemit bankar, vazhdon të prodhojë ende konflikte që pasohen me dëme të konsiderueshme ekonomike për njërën palë dhe përfitime të shpejta dhe të paligjshme për palën tjetër. Ajo që është edhe më shqetësuese, qëndron te fakti që në këtë skemë kanë rolin e tyre edhe gjykatat dhe shërbimet përmbarimore, të cilat kanë lejuar kryerjen e veprimeve të paligjshme, duke injoruar ligjet në fuqi.

Pas rastit të Shkodrës, fenomeni i fajdeve është rishfaqur edhe në Korçë. Një marrëdhënie huaje jashtë sistemit bankar, prej vitesh, ka futur në konflikt një grup personash.

Një prej avokatëve të kësaj çështje, tregon për A2 CNN, këtë skemë fajdesh, si dhe rolin e gjykatës dhe shërbimit përmbarimor.

“Disa persona kanë nënshkruar para disa vitesh një kontratë “huaje” në shumën 25 milionë lekë dhe kanë arritur më pas, nëpërmjet gjykatës, të lëshohet urdhri i ekzekutimit, kur në fakt, kjo ka qenë një kontratë huaje, ku dhe nëse për dy vite nuk ktheheshin lekët, do të ishin ortakë në një fabrikë me përqindje aksionesh të barabarta. Gjykata nuk ka hyrë në një shqyrtim themeli, por në një mënyrë të shkurtër dhe shumë të shpejtë është lëshuar urdhri i ekzekutimit dhe në bashkëpunim me përmbaruesit privat, të cilët kanë sekuestruar të gjithë pasurinë e këtij personi që është në vlerën mbi 100 milionë lekë”, shpjegon avokati mbrojtës.

Por edhe prokuroria e Korçës, megjithë kallëzimet e bëra, nuk është thelluar asnjëherë në këtë çështje. Aktualisht, pas rreth 15 vitesh, konflikti është rikthyer të hetohet edhe një herë, por kësaj radhe me një vendim të gjykatës së Korçës, e njëjta gjykatë e cila kohë më parë kishte vendosur krejt ndryshe për të njëjtën çështje.

Këto raste duhet të shërbejnë si apel, jo vetëm për institucionet ligjzbatuese, por edhe për vetë qytetarët, të cilët duhet të heqin dorë nga marrja e huave jashtë sistemit bankar, pasi pasojat, në rastin më të mirë, janë mjaft të rënda ekonomikisht, por nuk kanë munguar as rastet kur hakmarrja për shumat e pakthyera ka regjistruar edhe ngjarje kriminale.

Shkarkoni aplikacionin e A2