Ish-deputetët e PD në Prokurori: Akti i thirrjes, i pavlefshëm

Ish-deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë marrë të pandehur për incidentin e 16 shkurtit ndodhur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë paraqitur këtë mëngjes në Prokurorinë e Tiranës në cilësinë e personave të marrë në hetim.

Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimi, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj akuzohen se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë me dhunë. Por ata nuk kanë pranuar të japin asnjë deklaratë në lidhje me akuzat që ka ngritur prokurori i çështjes e madje kanë ridepozituar një kallëzim penal, të cilin e kishin depozituar më parë më datën 19 shkurt.

“E morëm vesh nga mediat që ishim në procedim, ndërkohë që nuk dimë asgjë se çfarë materialesh ka mbledhur Prokuroria. I kam kërkuar prokurorit që aktin e thirrjes, që është absolutisht i pavlefshëm, ta korrigjojë. I thamë ta ribëjë, të nja njoftojë dhe ne këtu jemi dhe do të vijmë përsëri”, tha Enkelejd Alibeaj. “Ndërkohë mbi kallëzimin që kemi bërë ne nuk është bërë asnjë hetim”.

Pamjet e bëra publike tregojnë se si ish-deputetët hyjnë me dhunë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe veprojnë në mënyrë të dhunshme ndaj efektivit roje. Por një ditë pas publikimit të lajmit se janë marrë të pandehur, ish-ministri Brendshëm Flamur Noka pranoi se kanë hyrë forcërisht në zyrat e policisë, por aty kanë gjetur të dehur kupolën e policisë së shtetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2