Ndihma ekonomike, Ballanca: E pamjaftueshme, thjeshtim kritereve

Skema e ndihmës ekonomike duhet rishikuar për të ndihmuar më tepër në zbutjen e varfërisë.

Në kushtet kur ka një hendek të madh të të ardhurave, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, thotë se masa e ndihmës ekonomike që përfitojnë individët është e pamjaftueshme për të jetuar. 

“Duhet përcaktuar minimumi jetik dhe më pas të ketë një lloj përqasjeje të vlerës së ndihmës me atë që është minimumi jetik sepse përndryshe, edhe nëse u japim njerëzve vlerën maksimale, që është 8000 lekë, nuk besoj se u kemi zgjidhur jetesën”, shprehet Ballanca.

Sistemi i pikëzimit ka shfaqur anomali në zbatimin e tij për shkak të kritereve rigoroze, që, sipas Ballancës, disa prej tyre duhet të thjeshtohen akoma më tej: “Ne kemi bërë kërkesë dhe mendoj se ka edhe një reflektim nga ana e organeve përkatëse që ndoshta skema për disa nga kriteret do të duhet që të rishikohet dhe rivvlerësohet për të bërë një vlerësim sa më të drejtë të gjendjes ekonomike të familjeve”. 

Zyra e Avokatit të Popullit pritet të ndërmarrë në vijim edhe dy nisma konkrete lidhur me përllogaritjet e masës efektive që përfitojnë familjet në të gjithë vendin si dhe për të evidentuar rastet kur pezullohet ndihma ekonomike për individët që përfitojnë edhe një tjetër shpërblim paralelisht më këtë të fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2