Tragjedi në Hungari, përmbyset varka me turistë

Ajo që duhej të ishte një shëtitje argëtuese në lumë, rezultoi një tragjedi për një grup turistësh.

7 koreanojugorë humbën jetën dhe të paktën 19 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pas përmbysjes së anijes me turistë në lumin Danub, në kryeqytetin hungarez, Budapest.

30 turistë, 3 guida dhe 2 pjesëtarë të ekuipazhit gjendeshin në anije, kur ajo u godit nga një mjet tjetër, ndërsa po ankorohej.

7 persona u shpëtuan dhe një operacion masiv kërkimi po vijon në lumin e fryrë nga reshjet e dendura të shiut. Reshjet sollën rryma të forta në Danub, një atraksion mjaft popullor turistik. Anija që u përmbys pranë godinës së parlamentit, quhej “Sirena”. Ajo kishte një kapacitet prej 45 personash dhe ndahej në dy kate. Autoritetet koreanojugore konfirmuan bilancin e viktimave dhe kërkuan mobilizim maksimal për operacionin e kërkimit

“Presidenti Moon Jae-in urdhëroi vënin në dispozicion të çdo mjeti të nevojshëm për të asistuar autoritetet hungareze në operacionin e kërkimit”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës koreanojugor.

Operacioni i shpëtimi vijoi përgjatë gjithë natës, ndërsa varka, zhytës dhe radarë u panë përgjatë disa kilometrave të lumit. Ekipet e shpëtimit paralajmërojnë se sa më shumë kalon koha, aq më e vështirë do të jetë gjetja e të mbijetuarve për shkak të rrymave të forta. 

Shkarkoni aplikacionin e A2