Wadephul: Shqipëria s’ka përmbushur asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave – A2

Wadephul: Shqipëria s’ka përmbushur asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul ka thënë këtë të enjte se grupi parlamentar i CDU / CSU do të analizojë raportin e progresit për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe në fund të shtatorit do të marrë vendimin.

Më tej, ai thotë se nga analiza fillestare, Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Grupi parlamentar i CDU/CSU do të analizojnë raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, duke bërë një krahasim. Vetëm atëherë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse kushtet për fillimin e negociatave me të dy vendeve janë plotësuar.

Megjithatë, një analizë e tillë nuk mund të bëhet me nxitim. Kjo nuk do të ishte e pranueshme për popullin gjerman dhe as nuk do të ishte e drejtë ndaj vendeve në fjalë. Në këtë situatë, Bundestagu gjerman do të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit, ashtu siç është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar të SPD. 

Një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, siç u tha nga ministrat e jashtëm të BE më 26 qershor 2018. Ende nuk ka sistem gjyqësor funksional. As Gjykata Kushtetuese as Gjykata Supreme nuk funksionojnë”, tha ndër të tjera zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU / CSU, Johann David Wadephul.

Më tej, ai flet edhe për krizën politike në Shqipëri, duke thënë se të dyja palët duhet të përgatiten për dialog pa parakushte.

“Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë midis qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore. Grupi parlamentar i CDU / CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte”.

Shkarkoni aplikacionin e A2