CDU, Gutting: Zgjidhja e krizës politike përmes dialogut, jo molotovit

Një tjetër reagim vjen nga Gjermania për zgjidhjen e krizës politike në vendin tonë.

Deputeti gjerman Olav Gutting thotë se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut dhe jo ndeshjes me molotov në rrugë.  

“Braktisja e Parlamentit dhe hedhja e molotovit nuk është opsion. Kjo nuk është e mirë dhe nuk shkon në drejtim të vlerave tona. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen përmes
dialogut dhe debatit parlamentar dhe jo luftës në rrugë. Ne përshendesim progresin e bërë nga Shqipëria . Përgëzoj qeverinë dhe popullin shqiptar për këto arritje”, përfundon reagimi i deputetit të Bundestagut gjerman Olav Gutting, që është i ndryshëm nga ai që pati një ditë më parë zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul. 

Në emër të grupit ai u shpreh se Shqipëria nuk ka përmbushur detyrat e lëna nga ministrat e Jashtëm të BE-së më 26 qershor 2018. “Ende nuk ka sistem gjyqësor funksional. As Gjykata Kushtetuese, as Gjykata Supreme nuk funksionojnë”, tha ndër të tjera Wadephul.

Më tej, ai flet edhe për krizën politike në Shqipëri, duke thënë se të dyja palët duhet të përgatiten për dialog pa parakushte.

Shkarkoni aplikacionin e A2