Dhuna te “Bregu i Lumit”, Balliu dorëzon provat në Prokurori

Ish-deputeti i Partisë Demokratike ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj Policisë së Shtetit. Zyrtari i PD ka akuzuar policinë për dhunën e ushtruar ndaj banorëve të “Bregut të Lumit”, për shkak të projektit të “Bulevardit të Ri”.

“Dorëzova në emër të Partisë Demokratike, disa video, shumë prej tyre ju i keni parë, por edhe video e foto të tjera, të cilat faktojnë dhunën që Policia e Shtetit ka ushtruar ndaj këtyre banorëve.

Dhuna vjen si shkak i urdhrave politikë të kupolës së Policisë së Shtetit, por edhe të vetë kryeministrit  Rama. Policia e pushtetit të Edi Ramës është ajo e cila dhunon qytetarë të ndryshëm në çdo protestë.” u shpreh ish-deputeti Balliu, pasi bëri kallëzimin në Prokurori.

Ish-deputeti demokrat, në fund të fjalës së tij, ftoi sërish qytetarët që t’i bashkohen protestës së të dielës.  “Thirrje çdo qytetari të na bashkohet më datën 2 Qershor në një protestë revoltë masive dhe historike që do t’i japë Edvin Ramës dhe të gjithë organizatës kriminale të Rilindjes atë çfarë i takon.”, deklaroi Balliu.

Shkarkoni aplikacionin e A2