Kancelarja e parë grua në Austri

Presidenti i Austrisë zgjodhi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese si kancelare kalimtare pasi Parlamenti rrëzoi qeverinë e Sebastian Kurz për shkak të video-skandalit të korrupsionit. Brigitte Bierlein, e cila do të dalë në pension këtë vit në moshën 70-vjeçare, u angazhua në formimin e një kabineti që do të ketë mbështetjen e Parlamentit deri në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në shtator. Ajo është kancelarja e parë grua e Austrisë.

“E njoh dhe e vlerësoj kryetaren Bierlein si person, e cila është e matur, e pastër ligjërisht dhe shumë kompetente”, tha Alexander van der Bellen, president i Austrisë.

“I nderuar zoti president, ju falenderoj për besimin e madh të treguar ndaj meje. Iu premtoj ju dhe të gjithë austriakëve se do të bëj çdo gjë që kam në dorë për të shpërblyer besimin tuaj”, u shpreh Brigitte Bierlein, kancelare e përkohshme e Austrisë.

Bierlein, e cila do të prezantojë zyrtarisht kabinetin e saj brenda pak ditëve, paralajmëroi se do të zgjidhte shumë shërbyes civilë si ministra. Ajo emëroi paraprakisht Alexander Schallenberg, një diplomat që ka punuar në zyrën e Kurz, si ministër të Jashtëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2