Trump kërcënon sërish Meksikën me sanksione për emigracionin e paligjshëm

Tarifat janë kthyer në mjetin e preferuar të presionit për presidentin amerikan Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi vendosjen e tarifave ndaj të gjitha mallrave që vijnë nga Meksika, si një mënyrë për të detyruar vendin të reduktojë emigracionin e paligjshëm në SHBA.

“Më 10 qershor, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa prej 5 për qind ndaj të gjitha produkteve që vijnë në vendin tonë nga Meksika, deri sa të ndalet emigracioni i paligjshëm.”, deklaroi presidenti amerikan. Shtëpia e Bardhë tha më vonë se tarifat do të rriten me 5 për qind çdo muaj, deri sa vlera të arrijë në 25 për qind.

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez reagoi përmes një letre, duke e cilësuar një gabim te madh politikën “Amerika e para”.

“Presidenti Trump! Problemet sociale nuk zgjidhen me taksa apo masa shtrënguese. Si mund ta ktheni kaq shpejt,  vendin më mikpritës për emigrantët në një geto, në një hapësirë të mbyllur ku ata stigmatizohen?! Slogani “Amerika e Para” është një gabim i madh, pasi deri në fund të kohërave, drejtësia dhe vëllazëria universal do të triumfojnë kundrejt kufijve.”, shkruhet në letrën e presidentit meksikan Obrador.

Presidenti amerikan shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë në muajin shkurt, me pretendimin se atje kishte një krizë humanitare.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se Trump do të përdorte fuqitë e Aktit të Emergjencës Ekonomike për implementimin e tarifave të reja ndaj Meksikës.

Shkarkoni aplikacionin e A2