Fitoi titullin pas 26 vitesh, Gega largohet nga Partizani

Fituan titullin e parë kampion pas 26 vitesh te Partizani dhe pa e festuar mirë këtë sukses historik, Skënder Gega dhe klubi kanë ndërprerë bashkëpunimin mes tyre.

Sipas burimeve, palët kanë rënë dakord që të mbyllin me mirëkuptim marrëveshjen ekzistuese, edhe pse nuk dihen ende arsyet pse u mor ky vendim.

Në njoftimin zyrtar, publikuar në rrjetet sociale, Partizani bën të ditur se trjaneri ka zgjedhur të ndërpresë më mirëkuptim kontratën, për arsye personale.

“Presidenti Gazment Demi dhe Drejtori Olsi Rama dëshirojnë të falënderojnë trajnerin Skënder Gega, i cili pas suksesit si lojtar, arriti ti dhuroj klubit një tjetër trofe kampioni edhe si trajner i Partizanit. Klubi falënderon trajnerin Skënder Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi regjistroi në drejtim e tij”

Klubi i Futbollit Partizani

Arsyet personale i konfirmoi edhe vetë trajneri, deklarata e të cilit u publikua sërish në rrjetet sociale të klubit.

“Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon në krye të bankinës të ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trajner, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Mbas 26 vitesh ja arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar. Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të bankinës”.

Skënder Gega

Klubit tani i del detyra e vështirë për të gjetur një trajner që do të çojë përpara këtë projekt, sidomos me sfidat e fazës kualifikuese të Champions League që janë pranë. Vetëm në fillim të këtij viti, saktësisht në 22 janar, trajneri 55-vjeçar dhe klubi i kuq rinovuan kontratën duke e shtyrë atë deri në vitin 2020.

Shkarkoni aplikacionin e A2