Partizani i vitit 1993, “heronjtë” e çerek shekulli

Një shpërthim i pritur 26 vjet. Entuziazëm për një arritje të munguar gjatë dhe që ishte kthyer në objektivin jetik. Festa e Partizanit ishte legjitime. Tifozët vrapuan në fushë pas derbit të 12 majit, me ekipin që u shpall matematikisht kampion.

Dy javë më pas, entuziazmi ishte po i njëjtë. Sërish pushtim i fushës, menjëherë sapo ekipit iu dorëzua trofeu i kampionëve. Të gjithë duke festuar me heronjtë e së tashmes, për një titull që shumëkush e kujtonte nga viti i largët 1993, ndërsa një pjesë në atë vit as që nuk kishin lindur.

Protagonistët e titullit të fundit, kanë qenë heronjtë e heshtur të Partizanit. Asnjëherë të harruar për kontributin e dhënë. Gjithmonë pranë ekipit në momentet e bukura dhe të vështira.

Ajo e përpara çerek shekulli ka qenë një skuadër e mbushur me yje. Emra të mëdhenj, nga Ylli Shehu, te Avenir Dani, kapiteni Ocelli, Ilir Shulku, Nikolin Çoçlli, Alban Tafaj për të vazhduar me golashënuesin e atij sezoni, Edmond Dosti apo edhe një talent të ri si Ardian Aliaj.

Një pjesë e konsiderueshme ishin lojtarë stabël të ekipit Kombëtar, të tjerë në orbitën kuqezi me përfaqësime të herë pas herëshme, por edhe talentë të rinj.

“Atë sezon e kemi dominuar totalisht kampionatin. E kemi siguruar titullin pa mbaruar kampionati. Gjysma ishin pjesë e ekipit kombëtar, që për atë kohë ishte gjë e madhe”, tregon Shulku.

Ndërsa Avenir Dani, ish-portier i Partizanit, shprehet: “Pata shansin të isha në ekipin e fundit kampion të Partizanit. Ndihem i kënaqur kur ekipet që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar arrijnë të shpallen kampionë”.

Edhe pse një pjesë e yjeve të titullit të fituar në vitin 1987 ishin larguar, pavarësisht periudhës së vështirë në të cilën ndodhej Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe ndryshimit të sistemit, Partizani ishte skuadra më e konsoliduar. Në organizim, emra dhe financa.

“Pavarësisht se ishin larguar shumë emra të mëdhenj, ka qenë grupi më i mirë dhe më i fortë në kampionat, kështu që fituam edhe Kupën, edhe kampionatin”, kujton Ylli Shehu.

Demat janë skuadra që historikisht kanë tifozë në të gjithë Shqipërinë. E ndërsa vazhdojnë të kenë tifozë në çdo stadium edhe në këto vite të vështira, me tribunat e boshatisura, në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, atmosfera rreth ekipit ishte fantastike.

“Në ato vite nuk e kishin mendjen te sporti njerëzit, por Partizani ka qenë gjithmonë i ndjekur”, shprehet Shehu.

Ndërsa Edmond Dosti kujton: “Ka qenë kohë e vështirë, por të paktën ka pasur futboll të bukur. Ka pasur stadiume pothuajse plot dhe për mua është çudi që sot, përveç derbit, stadiumet janë bosh”.

Ndryshe nga të gjitha skuadrat e tjera, Partizani kishte luksin të zhvillonte turne jashtë Shqipërisë, përballë kundërshtarëve prestigjiozë.

Suksesi ishte meritë e projektit të ndërtuar nga ish-trajneri Neptun Bajko dhe e vijuar nga Sulejman Starova, që në atë periudhë ishte në hapat e parë të karrierës në stol. Një skuadër homogjene në moshë dhe në origjinë, pika më e fortë e të cilës ishte grupi.

“Roli i individit është i rëndësishëm, por skuadra ka qenë faktori kryesor. Futbolli është lojë kolektive”, thotë Starova.

Partizani i asaj epoke ishte dominant në kampionat, të kuqtë fituan Kupën, Superkupën si edhe çmimin e golashënuesit më të mirë, me Edmond Dostin, i cili e mbylli kampionatin me 21 gola, përpara një legjende si Kujtim Majaci.

“Ne ishim një familje. Kam qenë me fat dhe kam pasur nderin të luaja me Ylli Shehun, Perlat Mustën e shumë të tjerë. Merita më e madhe ishte e ekipit që unë shënova aq gola. Skuadra e atëhershme do ta kishte dominuar sot kampionatin shqiptar dhe do të ishte me shumë pikë përpara. Nuk diskutohet që do të kishim diferencë pikësh”, shprehet Dosti.

Tjetër mendim ka ish-mbrojtësi Ilir Shulku: “Janë periudha të ndryshme, futbolli gjithmonë evoluon, por do të thoja se brezi i tanishëm është më i mirë sesa ne”.

Pritja e gjatë, deri në bezdi përfundoi. Te Partizani janë ende të dehur nga festimet e titullit, për një tjetër sezon, që njësoj si në vitin 1993, e dominoi nga fillimi deri në fund. Të kuqtë i gëzohen heronjve të rinj, përkrah të cilëve qëndrojnë gjithmonë idhujt e së kaluarës.

Partizani kampion sezoni 1992-1993

Klodian Papa

Shahin Berberi

Adnan Ocelli

Afrim Myftari

Ilir Shulku

Artan Bano

Alfons Muça

Sokol Meta

Altin Satka

Ardian Zhenga

Alban Tafaj

Andon Nikolla

Fabian Ziu

Edmond Dosti

Nikolin Coclli

Dritan Hoxha

Gert Jashari

Erjon Kasmi

Amarildo Zela

Denis Ndoci

Ardian Zhupa

Avenir Dani

Marko Pelinxhi

Ylli Shehu

Gent Lici

Ardian Aliaj

Edvin Kumaj

Trajner: Sulejman Starova

Zv.trajner: Hasan Lika

PARTIZANI 1993 KAMPION SPECIALE

Shkarkoni aplikacionin e A2