Rama çel fushatën zgjedhore: Ata janë pak e të paaftë, ne punëtorë e të përkushtuar – A2

Rama çel fushatën zgjedhore: Ata janë pak e të paaftë, ne punëtorë e të përkushtuar

Partia Socialiste çeli këtë pasdite fushatën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, në një tubim në Parkun Olimpik të Tiranës, ku të pranishëm ishin të gjithë kandidatët për kryetar bashkish si dhe kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiakë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama tha se 30 qershori konfirmon Partinë Socialiste si forca e padiskutueshme udhëheqëse e vendit dhe e konfirmimit të drejtimit të saj në çdo bashki në Shqipëri. “30 qershori është një garë mes nesh që duam ta çojmë Shqipërinë përpara me ide, programe e punë dhe atyre që duan ta kthejnë Shqipërinë mbrapa, me baltë, konflikt. Mes nesh që duam një vend demokratik dhe atyre që duan pushtet përmes dhunimit të demokracisë”, tha Kryeministri.

“Është e drejta e tyre për të mos lënë dy gurë bashkë për të sabotuar çeljen e negociatave me Be, por ta harrojnë se kanë në dorë ndonjë gjë tjetër përveç se të bëjnë vetëvrasje duke i rënë murit me kokë. Ata kanë një problem, janë pak, ne kemi një avantazh, jemi shumë. Ata janë dembelë dhe të paaftë për të drejtuar, ne jemi punëtorë dhe të përkushtuar në drejtim. Ata janë frikacakë dhe janë të alarmuar nga Reforma në Drejtësi, ne jemi guximtarë dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë vend shtet, ku drejtësia është një për të gjithë dhe të gjithë janë të barabartë përpara drejtësie”, shtoi ai.

“Po të ishte për përfitime personale nuk do ta kisha marrë kurrë përsipër këtë punë dhe do t’i kisha kursyer familjes sime gjithçka i ndodh për shkakun tim. Kurrë nuk kam qenë materialist dhe kurrë nuk kam për të qenë as kriminel, as hajdut, si ata që më ngrenë e më ulin si të tillë nga mëngjesi në darkë, nga viti në vit, nga dekada në dekadë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2