Ishte ndeshja e radhës, por kampioni Joshua pëson humbjen më të bujshme në historinë e boksit

Duhet të ishte thjesht një ndeshje e ndërmjetme për Anthony Joshua, pak më shumë se një stërvitje , edhe pse në Madison Square Garden, për t’u afruar asaj që cilësohej si ndeshja e shekullit me Deontay Wilder, për unifikimin e titujve.

Por ajo që ndodhi në 7 raunde dje në Nju Jork do të kujtohet si një nga surprizat më të mëdha në historinë e boksit.

Kampioni i botës IBF WBO dhe WBA humbi në mënyrë totalisht të papritur ndaj rivalit të tij amerikan me origjinë meksikane Andy Ruiz Jr, një boksier pak më shumë se mesatar, që zëvendësoi rivalin e programuar për natën e djeshme vetëm 6 javë më parë.

Asgjë në karrierën por edhe në pamjen fizike të Ruiz bënin të mendonin në epilogun e djeshëm.

Në raundin e tretë, anglezi Joshua arriti të godasë dhe ta çojë në tapet meksikanin, por reagimi i tij ishte i pabesueshëm, një seri grushtesh të fuqishëm që ulën në tokë “mbretin” e boksit.

Spektatorët e pranishëm nuk i besonin syve, teksa shihnin kampionin totalisht të trullosur që rezistoi me vështirësi deri në raundin e 7-të, aty ku ra edhe 2 herë të tjera, duke shtrënguar arbitrin të dekretonte fundin e ndeshjes.  

Ruiz jr. që sot është heroi i ri i Meksikës, dhe kampioni i parë nga ai vend në kategorinë e peshave të renda. Pas ndeshjes Joshua, kërkoi revanshin, ndoshta në fund të vitit. Në atë ndeshje me shumë mundësi do të fitojë, por ndërkohë meksikani ka zënë një vend të përhershëm në historinë e këtij sporti.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN