Opozita sërish në protestë të shtunën, Basha: Koha e fjalëve po mbaron

23:01 – Pas një mbledhje të zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike, opozita ka vendosur datën 8 qershor, ora 19:00, për të zhvilluar protestën e tetë të radhës kombëtare.

22:51 – Ministria e Shëndetësisë: 13 të lënduar në protestë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë me dije se pranë Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 13 persona të plagosur në protestë.

22:26 – Protesta e shtatë e opozitës, reagon Ambasada Amerikane

Ambasada Amerikane ka reaguar pas mbylljes së protestës së shtatë të opozitës, duke dënuar dhunën gjatë saj.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”, mbyllet deklarata e Ambasadës së SHBA.

22:10 – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama në fjalimin përmbyllës të protestës së radhës së opozitës se “koha për fjalët po mbaron”, duke shtuar se “në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm populli”.

“Mesazhi i parë është se Edi Rama dhe banda e tij kriminale do ta harrojnë se mund ta mbajnë pushtetin e marrë me dhunë duke dhunuar qytetarët. Pati dhunë disproporcionale, si rezultat i së cilës janë plagosur disa protestues me fraktura në kokë dhe plagë të thella në këmbë. I them sot Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt se do të mbani përgjegjësi para ligjit, se asgjë nuk harrohet, se përpjekja juaj tinzare për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do të marrë përgjigjen e merituar”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së theksoi më tej se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

“Ne nuk hedhim asnjë hap pas, e sotmja është dita e fundit që ju drejtohem me argumentet e arsyes sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm populli. E gjithë bota e di se ky është pushtet i marrë me dhunën e krimit dhe që mbrohet me dhunën e krimit. Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë. Harrojeni se do ta mbani, kthejani sovranit atë që i keni vjedhur”, tha Basha.

22:02 – Pas tensionit dhe përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, Lulzim Basha është vendosur në selinë e Partisë Demokratike, ku duket se do të mbyllë edhe protestën e shtatë të opozitës

22:00 – Ambasada Britanike në Tiranë, thirrje për drejtuesit e protestës dhe policinë

Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar për protestën e shtatë të opozitës, duke bërë thirrje për protestë paqësore.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore. Nuk ka vend për dhunë ose mjete piroteknike në një protestë paqësore”.

Më tej, në deklaratë theksohet se liderët e protestës kanë përgjegjësi të mbajnë demonstratat të sigurta dhe ligjore, ndërsa policia ka përgjegjësi të përgjigjet në mënyrë proporcionale për ruajtjen e rendit publik.

“Për të mirën e të gjithëve, prioritet duhet të jetë një protestë paqësore dhe e sigurt”.

21:49 – Një protestues humbet ndjenjat. Dërgohet drejt spitalit me autoambulancë për të marrë ndihmën mjekësore

21:46 – Lleshaj: 7 policë të plagosur. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit!

21:35 – I shpërthen kapsolla, plagoset 28-vjeçari

21:28 – Ndërsa situate vijon të jetë e tensionuar në hyrje të Parlamentit, policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka përdorur makinat e ujit për të shpërndarë protestuesit. Po ashtu vijojnë thirrjet me megafon për ruajtjen e qetësisë.

21:22 – Ish-deputeti i PD, Gent Strazimiri, flet për A2 CNN duke thënë se tensionet nuk mund të shmangen dhe njerëzit do qëndrojnë në protestë deri në fitore.

“Nuk mund të shmangen tensionet, njerëzit që dalin në rrugë janë të revoltuar. Duhet një zgjidhje politike dhe kjo fillon me largimin e Edi Ramën. Kaq kërkojmë dhe besojmë se është e ligjshme. PD është në rrugë deri në fitore bashkë me popullin”, tha Strazimiri.

21:14 – Sali Berisha: Protesta do të vazhdojë deri në fitore! Deri në rrëzimin e regjimit që e ka shndërruar Shqipërinë në vendin ku çdo 3 ditë zhduket një fëmijë; që e ka shndërruar në epiqendër të krimit dhe drogës.

21:00 – Plagoset një prej protestuesve në hyrje të Parlamentit, nga ku po hidheshin kapsolla dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë. I plagosuri u dërgua drejt ambulancës nga protestuesit e tjerë.

20:58 – Ministri Lleshaj: I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit!

20:55 – Policia bën thirrje që personat e maskuar të largohen nga protesta dhe të ruhet qetësia.

20:50 – Presidenti i Republikës, Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve.

20:45 – Është tensionuar situata pranë hyrjes së Parlamentit, ku protestuesit fillimisht prishën gardhin metalik e më pas nisën të hedhin kapsolla, flakadanë e gurë në drejtim të forcave të policisë.

20:42 – I pranishëm te Parlamenti, përveç kreut demokrat Basha, është edhe Sali Berisha dhe ish-deputetë të tjerë të PD

20:39 – Protestuesit zhvendosen te Parlamenti. Menjëherë kanë nisur prishjen e gardhit metalik që ishte vendosur para Parlamentit. Kordoni i parë i policisë është tërhequr pas. Nis hedhja e kapsollave.

20:25 – Basha, thirrje protestuesve: Të gjithë bashkë drejt Parlamentit

20:12 – Basha: Nuk mund të pranojmë që Rama të na mbajë mbyllur dyert e Evropës

Lulzim Basha deklaroi në fjalën e tij se populli shqiptar nuk mund të pranojë kurrë atë që ai e quajti “errësirën e tiranisë së krimit”.

“Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të pranojë Edi Ramën dhe bandën e tij për të mbajtur përherë të mbyllur derën e Evropës”, tha kreu i Partisë Demokratike.

“Ky komb është bashkuar në histori rreth kauzave të mëdha dhe në bashkimin e tij ka bërë të mundur largimin e të keqes. Askush nuk e ndal dot kauzën tonë për liri dhe demokraci. Sot, Edi Rama ka vetëm një propozim për ju. Ju vodhi votat në vitin 2017 me kriminelët dhe asnjë nuk mbajti përgjegjësi; vodhi miliona euro me oligarkët dhe askush nuk doli përpara drejtësisë; tani, kur ne themi që nuk e pranojmë më padrejtësinë, ai thotë se do ju vjedh edhe më shumë. Kjo është përgjigjja e tij. A mundet shqiptarët ta pranojnë këtë përgjigje? Ne do ta shporrim qeverinë e krimit! Ora kur qeverinë e drejtonte një njeri i ardhur në pushtet me bandit po marrin fund”, shtoi Basha.

20:08 – Protestuesit nisën të hedhin kapsolla në drejtim të Kryeministrisë, duke lënduar edhe një prej efektivëve. Basha bën thirrje që policët të mos preken.

20:02 – Protestuesi që i “vodhi” vëmendjen Bashës

19:55 – Basha: Qeveria drejtohet nga një kryebandit

Lulzim Basha e nisi fjalën e tij në protestën e shtatë kombëtare të opozitës, duke iu drejtuar të pranishmëve si “asambleja e padëgjuar e lirisë dhe demokracisë”.

Ai u shpreh edhe njëherë se qeveria drejtohet nga një kryebandit.

“Keni vërshuar në këtë bashkim të paparë asnjëherë. Jeni mbledhur dhe keni derdhur në këtë shesh këtë energji, shpresë. Asamble e padëgjuar e lirisë dhe demokracisë. Kaq të prerë dhe të qartë në kushtrimin tuaj, që sonte ushton për ta dëgjuar e gjithë bota. Ky bashkim popullor është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, të shtypur, të dhunuar, të nëpërkëmbur, të mashtruar, të tradhtuar, nga një bandë kriminale dhe nga një kryebandit që ka hyrë në histori si hajduti më i madh i të gjitha kohërave. Le ta dëgjojë zërin tuaj nga bunkeri ku është fshehur. Sot, ende nëpër Shqipëri kufoma politike më e urryer që nga diktatura u kap duke vjedhur vota bashkë me kriminelët”.

19:49 – Hidhet bojë në drejtim të Kryeministrisë

19:40 – Kreu i PD, Lulzim Basha, i rrethuar nga të rinjtë e FRPD, iu bashkua qytetarëve në protestën para Kryeministrisë

19:33 – Vasili: Fuqia e qytetarëve rrëzon dhe 20 si Edi Rama

“Fuqi e pafund e qytetarëve dhe hap pas nuk ka. Këto paralajmërime janë të fundit. Kjo fuqi merr përpara edhe 20 Edi Rama”

19:17 – Policia blindon zonën para Kryeministrisë

Policia nuk pret sot episode të dhunshme, përveç hedhjes së kapsollave apo fishekzjarreve.

19:03 – Qytetarë nga njësia 7 në Tiranë nisen në këmbë drejt Kryeministrisë

18:58 – Prej më shumë se një ore, Basha është duke qëndruar në zyrën e tij në selinë e PD, nga ku mësohet se është takuar me eksponentë të ndryshëm të PD

18:56 – Për të siguruar qetësinë e protestës, mësohet se në terren do të jenë edhe 250 të rinj të FRPD, të cilët mbajnë në krah shirita për t’u identifikuar

18:38 – PD jep shifrat: 65 mijë protestues në Tiranë

Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kanë mbërritur ose janë rrugës për në Tiranë për protestën e radhës rreth 65 mijë qytetarë.

***

Opozita ka thirrur mbështetësit e saj në protestën e shtatë kombëtare mbrëmjen e sotme, në orën 19:00. Edhe këtë herë autoritetet janë njoftuar për një protestë në formë marshimi, që nis në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para zyrës së Kryeministrit.

Selia blu ka njoftuar se protesta do të zgjasë deri në mesnatë. Nga ana tjetër autoritetet i janë përgjigjur selisë blu duke theksuar se do të lejojnë grumbullimin vetëm para Kryeministrisë dhe deri në orën 21:00. Në mbrojtje të rendit dhe sigurisë, mësohet se Policia do të angazhojë 1300 efektivë të saj, para dhe gjatë protestës.

Pak orë para mbërritjes së protestuesve, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi reagoi përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se “sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojnë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës”.

Kryemadhi bën thirrje që në protestë të dalin të gjithë pa dallim moshe, krahine, gjinie apo ngjyrimesh politike.

Shkarkoni aplikacionin e A2