Stoltenberg: Rusia po përpiqet të përfshihet në proceset e brendshme politike – A2

Stoltenberg: Rusia po përpiqet të përfshihet në proceset e brendshme politike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, e më pas dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në këtë konferencë, Stoltenberg foli edhe për ndikimin e Rusisë në veprimet e partive opozitare në vend. 

“Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për t’u përfshirë në institucionet tona demokratike dhe në proceset e brendshme politike në vende të ndryshme. Por, për situatën konkrete në vendin tuaj, do ia lija kryeministrit tuaj që të fliste për këtë. Këto përpjekje të Rusisë janë të papranueshme. Ne duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe t’i zgjidhim mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut politik”, tha Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi: “Nuk është sekret që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-së, ndaj proceseve integruese nuk është qasje miqësore. Së dyti, dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe mesa duket do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte njollë e pashlyeshme për vendin tonë. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat dhe parimet e NATO-s dhe BE-së dhe me ose pa dashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE”.

Shkarkoni aplikacionin e A2