Basha: Koha për fjalët dhe arsyen po mbaron – A2

Basha: Koha për fjalët dhe arsyen po mbaron

Largimi i Edi Ramës mbetet kushti që Lulzim Basha nuk negocion. Kryedemokrati ia përsëriti kryeministrit para zyrës së tij, ku kishte thirrur protestën kombëtare të radhës.

“Le ta dëgjojë deri në bunkerin ku është fshehur, ta dëgjojë e gjithë bota: Rama ik”, deklaroi Basha.

Dikush gjeti mënyrën të ishte prezent në protestë përmes celularit, por vëmendjen e të gjithëve e tërhoqi protestuesi kacavjerrës, që u ngjit në ballkonet e Kryesisë së Kuvendit. Zbritjen ia rezervuan në krahun tjetër.

Kur Lulzim Basha nisi të ashpërsonte fjalët, protestuesit e ndoqën me një seri kapsollash e lëndësh piroteknike të hedhura në adresë të Kryeministrisë.

“A jeni ju skllevër të krimit? A jeni ju delet e krimit? Sigurisht që jo. Ne do ta shporrim qeverinë e krimit”, tha Basha.

Në një moment acarimi, kryedemokratit iu desh të ndërhynte personalisht për t’i kërkuar protestuesve të evitonin konfrontimin me policinë: “Mos prekni asnjë oficer policie. Unë kam punuar me ta”.

Edhe këtë herë kryedemokrati nuk harroi besimtarët në agjerim: “Një minutë heshtje në nderim të vëllezërve dhe motrave tona besimtarë në agjërim”.

Me spostimin e protestës para Parlamentit u ndez edhe situata. Nga krahu i oborrit u hodhën gurë në adresë të forcave të rendit. Ndërsa nga hyrja ballore uniformat blu u goditën me lëndë piroteknike të lëshuara në adresë të tyre nga persona me maska në fytyrë. Nga shpërthimi i tyre u lëndua në këmbë edhe vetë një nga protestuesit. Kur u shkel perimetri i oborrit, erdhi edhe përgjigjja me ujë. Për të shpërndarë protestuesit nuk u kursye as gazi lotsjellës, ndonëse forcat speciale pritën gjatë para se ta përdornin atë.

Një tjetër protestues pati nevojë për ndihmën mjekësore. Ai u transportua me urgjencë në spital. Rreth orës 22:00, Basha mbylli protestën duke u kthyer në selinë blu, nga paralajmëroi Ramën se ditët e arsyes po mbaronin.

Opozita vendosi të thërrasë protestën e radhës të shtunën, më 8 qershor, ora 19:00.   

Shkarkoni aplikacionin e A2