Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Lejet e ndërtimit, për kulla e jo për turizëm

Nga A2 CNN
3 Qershor 2019, 11:35 | Aktualitet

Jo vetëm më shumë leje ndërtimi, por edhe projekte më të kushtueshme. Gjatë tre muajve të parë të vitit, në territorin e vendit janë miratuar 245 leje, apo 10% më shumë se një vit më parë, duke treguar se bumi i ndërtimeve vazhdon dhe madje po lulëzon.

Sipas të dhënave të INSTAT, projektet e miratuara kapin vlerën e 21,8 miliardë lekëve, apo 177 milionë euro, më e larta e të paktën viteve të fundit për një tremujor. Pothuajse gjysma e kësaj shifre, rreth 81 milionë euro i takojnë vetëm 28 lejeve për hotele. Ulja e TVSH-së për strukturat akomoduese, shpallja e turizmit si prioritet dhe lehtësitë fiskale për markat e njohura me 5 yje kanë ndikuar në këtë kërkesë të lartë për të ndërtuar hotele.

Diçka që bie në sy është se përtej vlerës, lejet e dhëna për hotele janë edhe më të mëdhatë për nga sipërfaqja. 285 mijë metra katrorë është hapësira e parashikuar e ndërtimit, më e madhe se të gjitha lejet për hotele të dhëna nga viti 2016 e deri në fund të 2018-ës, apo 7 herë më e madhe se hapësira e Sheshit Skënderbej.

Pjesa më e madhe e vlerës së investimit për të gjitha lejet e miratuara, rreth 144 milionë euro do të përqendrohet në Tiranë. Ndërsa qarqe si Vlora dhe Durrësi, që duhet të përfitonin më tepër nga kërkesa për struktura në bregdet kanë miratuar vetëm 8,5 milionë euro ndërtime të reja. Kjo do të thotë se lejet për hotele do të shkojnë për kulla në kryeqytet e jo për projekte që nxisin realisht turizmin.

Bashkitë përfituan 7,2 mld lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë

Më shumë leje ndërtimi të dhëna janë përkthyer edhe në më shumë para për bashkitë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm për 2018-ën, nga taksa e ndikimit në infrastrukture që paguhet nga çdo firmë ndërtimi për lejen që merr, u mblodhën jo pak, por mbi 7,2 miliardë lekë. Bëhet fjalë për një rritje dyshifrore që shënohet për të tretin vit radhazi.

Bashkia e Tiranës ka mbledhur edhe të ardhurat më të mëdha, duke arkëtuar 5,5 miliardë lekë. Të ardhura të larta nga kjo taksë kanë gjeneruar edhe nga Bashkia e Tropojës, Malësisë së Madhe si dhe ajo e Kavajës.

Projektet e agroturizmit kanë rezultuar një indikator mjaft fitimprurës për këto njësi bashkiake. Bashkia e Durrësit nga ana tjetër, nuk ka performuar mirë në këtë drejtim, pasi arkëtimet nga kjo taksë janë tkurrur ndjeshëm vitin  e kaluar, me 40,1%.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani