Stoltenberg: Nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO përfiton dhe rajoni

“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ka rëndësi jo vetëm për këtë vend, por edhe për rajonin dhe vetë Aleancën”, kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Shkup.

Kreu i NATO tha se Aleanca është e gatshme ti uroje mirëseardhjen Maqedonisë së Veriut, por e vuri theksin tek rëndësia e përmbushjes së reformave.

“Jemi të gatshëm t’iu urojmë mirëseardhjen në familjen e NATO-s. Me kryeministrin grek Alexis Tsipras treguat guxim dhe përkushtim në zgjidhjen e problemit të emrit dhe tani ju po krijoni të ardhme më të mirë për vendin.  29 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollin për anëtarësim jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por edhe për reformat që keni realizuar si shtet”, tha sekretari Stoltenberg.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, theksoi ndërkohë përkushtimin e qeverisë për të zbatuar të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit të vendit në NATO.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut arriti të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dypalëshe dhe të bëjë përparim konkret demokratik në shoqëri. Vendin e kthyem në rrugën e vërtetë, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe në ndërtimin e institucioneve forta dhe funksionale”.

Zaev u shpreh gjithashtu se pret që Këshilli i Ministrave të caktojë edhe datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim e vendit në Bashkimin Evropian.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN