Tërmetet në Korçë, mblidhet Shtabi i Emergjencës

“Shërbimi shëndetësor po ofrohet 24/7 për banorët e zonave të prekura nga tërmeti”. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në mbledhjen që u zhvillua në Prefekturën e Korçës, nën drejtimin e prefektit Dhori Spirollari, ku marrin pjesë Kryetari i Bashkisë, deputetë të qarkut të Korçës, përfaqësues të shtabit të emergjencës, drejtues të strukturave vendore të shëndetësisë të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

“Shëndetësia është e organizuar për të ofruar shërbime 24/7 në Plloq ku përveç çadrës me shërbim shëndetësor, kemi hapur një pikë të posaçme në ambientet e shkollës, ku aktualisht po ofrohet shërbimi shëndetësor. Gjithashtu, kemi vendosur 2 autoambulanca në dispozicion, për çdo emergjencë që mund të ketë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë të gjitha masat në spital, me mjekët në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë të mundshme.

“Janë 37 konsultat e kryera dhe shërbimet e ofruara nga ekipi i shëndetësisë. Kemi vendosur mjekë dhe infermierë me turne. Mjekët e spitalit të Korçës janë vendosur në gatishmëri 24 orë. Edhe në Qafëzez shërbimi shëndetësor është i ofruar nga mjekët e spitalit të Kolonjës me 1 mjekë dhe 2 infermierë”, u shpreh ministrja.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN