Trump kritikon kryebashkiakun e Londrës: Është superhumbës!

Donald Trump e nisi me kritika vizitën shtetërore në Britaninë e Madhe. Pak minuta para se avioni i tij Air Force One të ulej në aeroportin Stansted, rreth orës 9 të mëngjesit, ai sulmoi në Twitter kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, me të cilin është përplasur edhe në të kaluarën.

Khan tha më herët se Britania e Madhe nuk kishte pse të shtronte tapetin e kuq për Presidentin amerikan.  

“Sadiq Khan, i cili ka bërë një punë të tmerrshme si kryebashkiak i Londrës, u tregua një budalla i keq ndaj Presidentit amerikan dhe aleatit më të rëndësishëm të Britanisë së Madhe. Ai është një superhumbës, i cili duhet të fokusohet tek krimi në Londër e jo tek unë”, shkroi Trump në rrjetin social. 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të takohet me pjesëtarët e familjes mbretërore dhe pritet të diskutojë për ndryshimet klimatike dhe kompaninë kineze të teknologjisë Huawei me kryeministren në largim Theresa May. Protesta kundër vizitës janë planifikuar në të gjithë vendin, përfshirë Londrën, Mançesterin, Belfastin dhe Birmingemin.

Në ditën e parë të qëndrimit, Trump do të vizitojë kishën e Ëestminsterit dhe do të takohet me Princin Charles dhe Dukeshën e Kornuellit. Gjatë mbrëmjes, Mbretëresha Elizabeta do të shtrojë një banket për Presidentin dhe Zonjën e Parë Melania në Pallatin Bakingam. 

Shkarkoni aplikacionin e A2