Trump takon Mbretëreshën, kritika për Khan: Është një super humbës

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania u takuan me mbretëreshën Elisabeth në ditën e parë të vizitës së tyre shtetërore në Britaninë e Madhe. Çiftit presidencial ju rezervua një ceremoni mirëseardhje e më pas një drekë private në Buckingham Palace.

Por vizitën e tij 3 ditore në Mbretërinë e Bashkuar, Trump e nisi me kritika të ashpra kundër kryebashkiakut të Londrës, Sadik Khan, me të cilin është përplasur edhe në të kaluarën. Khan tha më herët se Britania e Madhe nuk kishte pse të shtronte tapetin e kuq për presidentin amerikan.

“Sadik Khan, i cili ka bërë një punë të tmerrshme në krye të bashkisë së Londrës, u tregua një budalla i keq ndaj presidenti amerikan dhe aleatit më të rëndësishëm të Britanisë së Madhe. Ai është një superhumbës, i cili duhet të fokusohet tek krimi në Londër e jo tek unë”, u shpreh presidenti Trump.

Një zëdhënës i Kahn reagoi duke i quajtur si fyerje fëminore ato të Trumpit dhe tha se presidenti amerikan është shembulli më i gjallë i rritjes së kërcënimit nga ekstremi i djathtë rreth globit.

Përveçse me pjesëtarët e familjes mbretërore numri një i Uashingtonit do të takohet me kryeministren në largim Theresa May, me të cilën do të diskutojë për çështjen e ndryshimeve klimatike dhe kompaninë kineze Huawei.

Edhe pse Trump ka shprehur vlerësimet për May, në bisedimet mes tyre pritet të ketë dallime të shumta.  Një zëdhënës i qeverisë tha të hënën se Londra ishte e zhgënjyer nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga Marrëveshja Klimatike e Parisit në 2017-tën.   

Shkarkoni aplikacionin e A2