Ambasadori italian: Do të ishte gabim shtyrja e zgjedhjeve pa marrëveshje – A2

Ambasadori italian: Do të ishte gabim shtyrja e zgjedhjeve pa marrëveshje

Ambasadori italian Alberto Cutillo, nga Shkodra, ku mori pjesë në një takim me të rinjtë, ka folur për krizën politike dhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Cutillo pranoi se kriza shihet në Parlamentin Europian si diçka anormale, pasi zgjedhjet janë një proces ku të gjitha partitë politike që pretendojnë se kanë elektorat marrin pjesë në to.

“Në Shqipëri kemi mbërritur në një situatë komplekse, ku disa parti që të paktën në dukje kanë mbështetje të fortë politike kanë vendosur të mos futen në zgjedhje. Në këtë pikë, rregullat kanë devijuar dhe nuk mund të thuhet çfarë është më logjike, të zhvillohen zgjedhje, apo të shtyhen, çka do të sillte ndryshime në ligj dhe kushtetutë”, tha Cutillo.

“Ndryshimi i dytë mund të jetë gjetja e një akordi e një marrëveshje, por në dijeninë time deri tani nuk ka, prandaj të shtysh zgjedhjet pa arritur në një marrëveshje mund të sillte probleme më të mëdha, pasi sjell ndryshimin e kushtetutës duke lejuar kështu shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve dhe italianët e quajnë këtë “një arnë më e keqe se e grisura”, por nuk janë sugjerime që më takojnë mua t’i bëj”.

Ambasadori italian tha se ka 3 skenarë të mundshëm për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian: votimi në unanimitet për çeljen e negociatave, refuzimi, apo shtyrja e vendimit, pasi mes rekomandimit më 29 maj dhe vendimit për negociatat me 20 qershor është një kohë e shkurtër. “Dosja është voluminoze ndaj nuk do të ishte çudi që ndonjë vend të thoshte që nuk kemi pasur kohë ta studionim”, tha Cutillo.

Cutillo shtoi se nuk është sekret që Franca dhe Holanda janë zëra kundër. “Holanda po diskuton në Parlament heqjen e vizave për Shqipërinë. Te enjten mbahet kjo seancë dhe do e dimë të sigurt qëndrimin ndaj Shqipërisë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2