Basha: Berlini nuk çel negociatat pa u zgjidhur kriza – A2

Basha: Berlini nuk çel negociatat pa u zgjidhur kriza

“Gjermania nuk do të çelë negociatat për Shqipërinë pa kaluar krizën politike”. Ky është mesazhi që Lulzim Basha thotë se e ka marrë gjatë qëndrimit në Berlin.

“Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi. Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara. Në qoftë se nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, e cila, pastaj, do ta veçonte dhe nga Maqedonia e Veriut. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë. Në cilin vend të Evropës nuk do të kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër, i cili është kapur bashkë me kupolën e tij duke asgjësuar procesin zgjedhor”, u shpreh për Deutsche Welle, Lulzim Basha.

Kryedemokrati ngul këmbë se zgjidhja vjen vetëm me largimin e Edi Ramës dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, duke shmangur edhe përplasjet civile më 30 qershor.

“Standardet evropiane dhe precedentët evropianë e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize. Ajo kalon përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe garantimit të standardeve zgjedhore si hap i pare.Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e këtyre problemeve. Ndaj, parashtrimi i opozitës, zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil, për të shmangur çmendurinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve false, moniste, prapë të diktuar nga krimi, prapë me kandidatë kriminelë dhe mbylljes përfundimtare të derës së Evropës.Me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve evropianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Evropës”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2